U ftua nga Gjykata Speciale, Jakup Krasniqi përgjigjet me poezi

U ftua nga Gjykata Speciale, Jakup Krasniqi përgjigjet me poezi

Ish-Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, është ftuar nga Gjykata Speciale, shkruan Insajderi.

Ai ka njoftuar se në Dhomat e Specializuara të Hagës do të shkojë më 24 korrik ku do të intervistohet.

Krasniqi si kundërpërgjigje, ka zgjedhur poezinë “Ikni ju, ne mos na ftoni!”

IKNI JU, NE MOS NA FTONI!

A thua kush do të ishim ne sot
Pa ato jetë të shumta kazamatesh
S’e di as si do të flisnin sot disa
Po të vazhdohej shikimi veç në hava!

A thua do të ishim këtu ku jemi
Pa të madhërueshmen tonë Çlirimtare
Ajo që na liroi nga vargonjtë e robërisë
Pa të jo kurrë s’do t’i gëzoheshim Lirisë…

A thua ç’gjuhë do të flitej këndejpari
Mohuesit e trimërisë jo s’e thonë kurrë
Ata i nënshtrohen çdo soji e çdo fare
Se jetën e bëjnë besa vetëm për pare!

A thua bastardët pyesin për politikë
Tek turrin e bëjnë vetëm për pasuri
Parazitë që jetojnë nën çdo robëri
Ashtu siç jetuan sa e sa nën Serbi!

Epo, atë rrugë s’ua ndalim dot
Të ikin sa më parë,madje që sot
Shqiptarët jo kurrë mos i ftoni
Ikni, kështu ju dua, mos hezitoni!

Në rrugën e tradhtisë mos na ftoni
Rrugën e Lirisë me Çlirimtaret
Për jetë të jetëve s’do ta ndryshonim
Ato gjurmë të Jetës në Ne janë mishëruar!