U gjobit rreth 2 mijë euro javën e kaluar, INTEREX vazhdon të veprojë kundërligjshëm

U gjobit rreth 2 mijë euro javën e kaluar, INTEREX vazhdon të veprojë kundërligjshëm

Rrjeti i njohur i supermarketeve, INTEREX, i cili u gjobit të hënën e kaluar për shpërndarje të fletushkave nëpër vendbanime në Prishtinë, ka vazhduar të veprojë njëjtë edhe pas gjobitjes.

INTEREX po vazhdon të mos e respektojë vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e shpërndarjes së fletushkave dhe broshurave për marketing nëpër hyrjet e banesave dhe shtëpive në Prishtinë.

Fletushka të kompanisë INTEREX, të datës 24 maj, janë shpërndarë në Prishtinë. Janë evidentuar në disa lagje të kryeqytetit, raporton Insajderi.

INTEREX është gjobitur të hënën nga Komuna e Prishtinës. Kompanisë iu shqiptua gjobë prej 1890 eurove pasi kishte shpërndarë fletushka në shumë hyrje e kate të ndërtesave të kryeqytetit.

“Kompanitë dhe bizneset që shfrytëzojnë fletushkat dhe broshurat si formë marketingu, janë njoftuar publikisht, se nga data 1 maj 2019, se secili rast i evidentuar do të gjobitet me 90 euro gjobë mandatore. Kur fletushkat shpërndahen në shumë hyrje, e në shume kate, dënimi prej 90 euro shumëzohet dhe kjo shumë rritet”, kishte njoftuar javën e kaluar drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri. /Insajderi.com