“U largua me shpejtësi në drejtim të Serbisë”, policia tregon si “u iku nga duart” Radojiçiqi

“U largua me shpejtësi në drejtim të Serbisë”, policia tregon si “u iku nga duart” Radojiçiqi

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e Millan Radojiçiq, i cili u arratis të enjten pasdite në pikë kalimin kufitar Bërnjak.

Policia është arsyetuar se Radojiçiq u ka ikur duke thënë se pika kufitare aty si pikë e përbashkët, mund të kalohet shpejtë.

“Duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë”.

Lidhur me rastin, policia thotë se është njoftuar prokurori kompetent,  i cili ka rekomanduar të iniciohet rasti pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës.

Ndërsa, sa i përket sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, policia ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme.

Ndryshe, emri i Millan Radojiçiqit lakohet në qarqe të ndryshme si organizator i vrasjes së politikanit serb në Mitrovicën Veriore, Oliver Ivanoviq, vrasje e cila ka ndodhur në vitin 2018.

I njëjti ishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast, ndërsa pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.

Por, më vonë, Prokuroria Speciale sërish e kishte vendosur në listën e personave të kërkuar.

Kjo është hera e dytë që Radojiçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës.

Dy vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin./Insajderi.com