U mbajt debati “Toleranca ndërfetare, forcë e qytetarëve të Kosovës”

U mbajt debati “Toleranca ndërfetare, forcë e qytetarëve të Kosovës”

“Toleranca ndërfetare, forcë e qytetarëve të Kosovës” ishte tema e ligjëratës së Bekim Jasharit, kryetar i Bashkësisë Islame në Podujevë, në Kolegjin AAB,  në kuadër të fushatës “United For Peace”.

Imami Jashari tha para studentëve se ruajtja e tolerancës ndërfetare që e ka karakterizuar ndërvite kombin shqiptar është siguri për gjeneratat e reja që do të vijnë.

Sipas tij kohëve të fundit mospajtimet janë shfaqur në mes të vetë pjesëtarëve të besimit islam dhe jo me pjesëtarët e besimeve të tjera, duke shtuar këtu se është e qartë se në Kosovë që nga përfundimi i luftës ka depërtuar një frymë tjetër e të praktikuarit të fesë islame.

“Problemi jonë nuk është me përqindjen e vogël të pjesëtarëve të besimeve të tjera në Kosovë katolike p.sh, sikurse nuk shoh islamofobi, por toleranca është e nevojshme midis pjesëtarëve të besimit islam për shkak të shkollave të ndryshme që kanë depërtuar”, tha imami nga Podujeva Bekim Jashari.

Jashari në ligjëratën e tij, apeloi tek prindërit kosovarë që nëse shohin që fëmijët e tyre janë drejtuar në rrugë të dyshimta, t’i lajmërojnë organet përgjegjëse.

Në fund të ligjëratës u zhvillua edhe një debat me studentë për këtë temë me argumente për dhe kundër.

Studentët shprehen interesim të marrin mendimin e imamit Jashari rreth raportit të besimtarëve islamë me besimtarët e feve të tjera etj.

Fushata “United for Peace” është e dizajnuar nga studentët e Kolegjit AAB në kuadër të projektit global për vetëdijesimin e të rinjve kundër ekstremizmit të dhunshëm, që mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe facebooku./Insajderi.com