U shënua 68-të vjetori i Arkivave të Kosovës

U shënua 68-të vjetori i Arkivave të Kosovës

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës me një ceremoni të veçantë sot shënoi përvjetorin e 68-të të Arkivave të Kosovës, ku me këtë rast u lavdërua puna e këtij institucioni si dhe u apelua për bashkëpunim më të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-së, Ramë Manaj, deklaroi se ndonëse Arkiva e Kosovës kishte trashëguar një gjendje të rënduar nga lufta dhe për 18 vite kishte probleme më hapësirën, teknologjinë si dhe u ballafaqua me mungesën e burimeve njerëzore, sipas tij, me kthimin e këtij institucioni në kuadër të Ministrisë së Kulturës gjërat kanë marrë për mbarë.

Ai tha se për dy vite janë investuar rreth 300 mijë euro në renovimin e hapësirave dhe vendosjen e rafteve si dhe monitorimin sipas standardeve profesionale të lëndës arkivore.

“Për këto dy vite ne e prekim kujdesin shtetëror dhe mbështetjen financiare që po mundëson renovimin e mjeteve themelore të punës, vendosjen e rafteve moderne dhe lënda arkivore do të mund të monitorohet sipas standardeve profesionale. Me përkrahjen nga ministria jonë, deri tani investimi kap vlerën e afër 300 mijë eurosh për çka ne punonjësit e sotëm, por jam i sigurt edhe ata që do të vijnë pas nesh do të jenë thellësisht mirënjohës”, deklaroi Manaj.

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës tha se lajm akoma më i mirë mbetet mbështetja buxhetore për katër vitet e ardhshme, që sipas tij, do të shkojë rreth 1.2 milionë euro në investime kapitale.

Ai shtoi se tashmë janë hapur procedurat për renovimin e depos qendrore, si dhe ato për hapjen e Arkivit Ndërkomunal në Ferizaj, që sipas Manaj, është shumë i domosdoshëm.

“Kemi filluar procedurat ligjore të tenderimit për realizimin e projektit të financuar nga Ministria e Kulturës për renovimin e depos qendrore e ku është e vendosur edhe lënda arkivore. Ky renovim përfshin klimatizimin, mbrojtjen nga zjarri dhe aparatura përkatëse kundër lagështisë. Ne, me mirëkuptimin e qeverisë, kemi hapur procedurat ligjore dhe administrative për hapjen e Arkivit Ndërkomunal në Ferizaj, që ka vite që ishte më se i domosdoshëm. Më pak fjalë që Arkivat e Kosovës të zënë hapin për të realizuar misionin e tyre shoqëror e shtetëror duhet të bëhen qendër merandimi në të cilin gravitojnë domosdoshmërisht dy faktorë, faktori punë dhe faktori para, me fjalë të tjera faktorët e bashkëpunimit të agjencisë së Arkivave dhe Qeverisë”, vijoi Manaj.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.

Ai tha se shqiptarët janë kujtuar vonë për të themeluar dhe më pas edhe për t’i ruajtur arkivat e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, që sipas tij, bie ndesh me praktikën që kanë ndjekur vendet e konsoliduara.

“Edhe pse me vonesë, qeveritë tona janë kujtuar në të njëjtin çast dhe investimet që po vijnë në këtë periudhë si në Arkivat e Shqipërisë, por edhe në atë të Kosovës, mund të na bëjnë që të ndjehemi krenar se po bëhemi, jo po bëhemi ne si arkivistë, por si shtet Shqipëria dhe Kosova”, tha Bido.

Në këtë ceremoni foli edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që tha se Arkivat kanë një rëndësi të veçantë pasi si institucion ka për bazament orientimin e tij themelor që të nxjerrë të vërtetën për popullin dhe vendin.

“Ata që punojnë për të begatuar Arkivën nuk plaken. Nuk plaket as shteti, as kujtesa e tij, por ndërtohet formati i tij mbi të vërtetën e cila fatkeqësisht tek shqiptarët ka pasur lakore të shumta. Janë dy arkiva qendrore në këtë kohë, por a janë edhe dokumentet e njëjta në këto dy arkiva? A është edhe e vërteta apo a pavërteta të plasuara edhe në njërën edhe në tjetrën? A ka arkiva përreth nesh që flasin më shumë sesa flasim ne për veten tonë? A ka biblioteka të rëndësishme që ata kanë pasur mundësinë të hulumtojnë, të gjejnë kallëzime të shumta për veten tonë? Prandaj unë them se nuk është vetëm e universitetit, nuk është vetëm e institucioneve kërkimore, por edhe ky është institucion që ka për bazament orientimin e tij themelor që të nxjerrë të vërtetën për ne dhe të nxjerrë të vërtetën për zhvillimet humane civiluese përgjithësisht”, u shpreh Sejdiu.

Në fund, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ndau mirënjohje për personat të cilët kanë kontribuar në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni./ Insajderi.com