Udhëheqësi i Partisë Konservatore në Uells ka dhënë dorëheqje shkaku i skandalit me alkool

Udhëheqësi i Partisë Konservatore në Uells ka dhënë dorëheqje shkaku i skandalit me alkool

Udhëheqësi i Partisë Konservatore të Uellsit dha dorëheqjen pasi ishte përfshirë në një skandal ku shihet duke pirë alkool në pronën e parlamentit të Uellsit, transmeton Insajderi.

Skandali u zbulua disa ditë pas ndalimit të konsumimit të alkoolit në ambientet e licencuara në Uells si pjesë e kufizimeve më të gjera kundër koronavirusit.

Paul Davies tha se do të japë dorëheqje me efekt të menjëhershëm, pasi skandali ka kaluar në “shpërqendrim”, raporton Anadolu Agency (AA).

Uellsi është një nga katër shtetet përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me Anglinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut. Vendi gjithashtu ka parlamentin e tij, të njohur si Senedd.

Davies piu alkool më 8 dhjetor në pronën parlamentit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Konservatore uellsiane Darren Millar, Shefin e Shtabit të Partisë Konservatore, Paul Smith, dhe ish-ministrin Alun Davies, i cili i përkiste Laburistëve të Uellsit, por gjithashtu u pezullua pas skandalit.

Incidenti ndodhi vetëm katër ditë pas hyrjes në fuqi të ndalimit të alkoolit në pijetore, ndërsa pati raportime edhe për një incident tjetër që kishte të bënte me pijen më 9 dhjetor. Hetimi i brendshëm i Senedd-it theksoi se ngjarja ishte një “shkelje e mundshme e rregulloreve”.

Në deklaratën e tij, Davies tha: “Incidenti ka dëmtuar besimin dhe respektin që unë kam krijuar mbi 14 vjet në parlamentin e Uellsit me kolegët e mi dhe Partinë Konservatore më të gjerë, por, më e rëndësishmja, me popullin e Uellsit”.

Ai, megjithatë, këmbënguli se nuk ka “shkelur asnjë rregullore aktuale të COVID-19”.

Në një deklaratë të veçantë, Millar për ngjarjet e 8 dhe 9 dhjetorit deklaroi: “Në të dy mbrëmjet i shërbeva vetes një vakt të përgatitur paraprakisht që e ngroha përsëri në mikrovalë dhe e hëngra atë duke pirë pije alkoolike dhe diskutoja punët e rëndësishme me kolegët”.

“Megjithëse jam këshilluar se nuk kam shkelur rregulloret e koronavirusit, më vjen shumë keq për veprimet e mia, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e kufizimeve të rënda me të cilat po përballen populli dhe bizneset”, shtoi ai.

“Për këtë arsye dhe duke pasur parasysh që Paul Davies ka dhënë dorëheqjen si udhëheqës i Grupit Konservator të Uellsit në Senedd, unë kam vendosur të jap dorëheqje nga roli im në parlamentin Uellsit”. /Insajderi