Ujësjellësi ka një lajm të mirë për të gjithë konsumatorët e Prishtinës

Ujësjellësi ka një lajm të mirë për të gjithë konsumatorët e Prishtinës

Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës e ka konsideruar lajm të mirë për të gjithë konsumatorët, për shkak të mbushjes së rezervave me ujë të liqenit të Batllavës dhe atij të Badovcit, shkruan Insajderi.

Në një komunikatë dërguar mediave thuhet se pas liqenit të Batllavës edhe liqeni i Badovcit ka arritur kotën maksimale të ujit, duke bërë kështu që qytetarët të furnizohen me ujë 24 orë.

“Gjatë ditë së sotme, 28 mars 2018, liqeni i Badocit ka arritur kuotën maksimale, ka filluar kapërderdhjen dhe me këtë rezervat tona hidrike janë në kuotat maksimale, derisa liqeni i Batllavës këtë pikë e ka arritur më herët”.

“Ne do të vazhdojmë t’i furnizojmë me ujë të pijshëm qytetarët tanë 24 h pa ndërprerë, por njëkohësisht kërkojmë ruajtjen e ujit dhe kryerjen e obligimeve financiare që keni ndaj KRU”Prishtina” sh.a., që të kemi një vazhdimësi të mirë të furnizimit me ujë”, thuhet në njoftim

Më tej Ujësjellësi ka apeluar të gjithë qytetarët e vendit që të mos hedhin mbeturina në liqen, por ta ruajnë dhe ta menaxhojnë sa më mirë këtë resurs.

“Derisa në rajonet e tjera të botës është çështje serioze furnizimi i qëndrueshëm me ujë për shkak të thatësirave, në dy vitet e fundit, fatmirësisht vendi ynë nuk u përballua me këtë problem, por kjo nuk do të thotë që pas dy vjetëve të tjera do të kemi këtë siguri”.

“Prandaj, ne duhet të menaxhojmë sa më mirë këtë resurs, që sa vjen e bëhet më i rëndësishëm për jetën e njeriut. Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’i ruajnë dhe mbrojnë burimet ujore, të mos hudhin mbeturina përreth brigjeve të liqeneve”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit./Insajderi.com