“Ujësjellësi” përplaset me Komunën e Prishtinës për dënimin – i kujton 2.5 milion eurot e ‘harruara’

“Ujësjellësi” përplaset me Komunën e Prishtinës për dënimin – i kujton 2.5 milion eurot e ‘harruara’

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Prishtinës e ka dënuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Sipas kësaj drejtorie ky dënim ndodhi për shkak të 13 intervenimeve që i kanë bërë në infrastrukturën rrugore, dhe nuk e kanë kthyer terrenin në gjendjen e mëparshme.

Pas këtij vendimi kanë reaguar nga KRUP, ku kanë thënë se të tjerët nuk janë duke i lejuar të kryejnë punën e tyre.

“Nga pamundësia dhe nga mosguximi për të kryer me nder detyrat e tyre të punës, në përshkrimin dhe marrjen e masave ndaj Investitorëve Privat kur dëmtojnë  gypat me diametra të mëdhenj të ujësjellësit dhe që lënë mbi 10.000 banorë të tre zonave pa ujë të pijshëm ( rasti konkret i tanishëm, punimet afër Pallatit të Drejtësisë), shefi i Inspekcionit të Komunës së Prishtinës z. Adonis Tahiri në shenjë hamarrjeje pas deklaratave të vërteta ditëve të fundit nga ana jonë, del me krenari, sulmon punën e ujësjellësit , punën e punëtorëve teknik duke e gjobitur kompaninë tonë për mos kthim në gjendjen e mëparshme të disa rrugëve ku kemi punuar, pa u konsultuar me ne dhe pa pyetur për arsyet, të cilat do mund të gjenin vend në një bashkëpunim ndër institucional”.

Nga KRUP deklarojnë se ky nuk është bashkëpunimi i duhur nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Atëherë , pasi shumë qartë po duket të jetë një “hakmarrje” ndaj deklaratave të ditëve të fundit, ditëve në vijim do të paraqesim publikisht borxhet e tyre ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe njëkohësisht lëndët e tyre do dërgohen te përmbaruesit privat dhe do t’i trajtojmë me kujdes pëlqimet për kyçje teknike të objekteve të reja ndërtuese”.

Më tej nga KRUP shtuan se do të diskutojnë për marrëveshjen financiare të ndërtimi të fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj, ku sipas tyre Komuna nuk ka paguar shumën e saj.

“Në të njëjtën kohë, do e rishikojmë dhe diskutojmë marrëveshjen financiare të ndërtimit të fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj, ku Komuna e Prishtinës ende nuk e ka paguar shumën prej 2.5 milion euro të zotuar për këtë fabrikë, ndërsa meritat për ndërtimin e fabrikës dhe furnizimin 24 h pa ndërprerë me ujë, nuk mungonin asnjë moment nga zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës”, thonë nga KRUP nëpërmjet komunikatës.