Xhavit Ukaj për Insajderi.com

Ukaj: S’kam pranuar ftesë nga policia, as nuk kërkoj falje – le të kërkojë ajo (Vjosa Osmani)

Xhavit Ukaj e Vjosa Osmani – bashkëpartiakë – kanë pasur mbrëmë një konflikt. Për pasojë, Osmani e ka paraqitur Ukajn në polici. Por, i pyetur nga Insajderi, deputeti i LDK-së thotë se nuk ka pranuar ende ftesë nga policia.

Ukaj: S’kam pranuar ftesë nga policia, as nuk kërkoj falje – le të kërkojë ajo (Vjosa Osmani)

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, nuk e ka në mendje të kërkojë falje për atë që ka ndodhur mbrëmë në seancën e Kuvendit të Kosovës në mes tij dhe kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

Kjo për arsye se “s’kam për çfarë t’i kërkoj falje kujt”, ka thënë Ukaj, në një prononcim për Insajderi.com

“Unë kërkoj falje kur është për t’u kërkuar falje, por në këtë rast nuk kam pse ta bëj”, tha Ukaj i pyetur nga Insajderi.

“Madje ajo duhet të më kërkojë mua, sepse ma ka ngritur gishtin, unë asaj s’kam për çfarë”.

Mbrëmë Osmani njoftoi edhe se e ka paraqitur rastin në polici, duke e denoncuar Ukajn, por ai ka treguar se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga organet e rendit.

“Jo nuk më ka ftuar askush për momentin dhe nuk e besoj se policia e Kosovës ka rënë në atë derexhe. Nuk ka për çfarë; aty vetëm ka pasur ngritje zëri dhe asgjë tjetër. Unë do të marr pjesë në vazhdimin e seancës të hënën krejt normalisht”.

Ukaj është pyetur edhe për disa fotografi që po qarkullojnë në internet se kinse deputeti ka hyrë në konflikt me qytetarë në rrjete sociale duke u sharë e ofenduar me ta.

Ai i ka mohuar se këto janë të vërteta. Ka thënë se s’di gjë.

“Jo absolutisht nuk jam unë, ato janë gënjeshtra, madje tash sa dëgjova, më tregoi djali”.

Mbrëmë derisa po zhvillohej debati për rishikimin e buxhetit diskutimi ka kaluar në sharje e ofendime mes deputetëve.

Derisa deputetët janë ofenduar njëri me tjetrin Osmani ka ndërhyrë në disa raste.

Deputetët e LDK-së, mes tyre Ukaj, i është ankuar asaj se përse po u ndërhynë deputetëve të LDK-së e jo edhe atyre të Vetëvendosjes.

Më pas, ai ka mësyrë kah ulësja e kryeparlamentares dhe në atë moment është ndërpresë seanca, siç ka thënë Osmani për shkak të “paedukatës së disa deputetëve”.

Seanca pritet të vazhdojë të hënë.

Pritet të votohet edhe rishikimi i buxhetit, jetike kjo për mundësimin e qeverisë t’i shpërndajë nga 170 euro të premtuar nga qeveria e kaluar për qytetarët që kanë mbetur pa punë, ose kanë marrë paga të përgjysmuara për shkak të pandemisë./Insajderi.com