UNHCR: 250 mijë refugjatë sirianë mund të kthehen në shtëpitë e tyre

UNHCR: 250 mijë refugjatë sirianë mund të kthehen në shtëpitë e tyre

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR, ka deklaruaar se deri 250 mijë refugjatë mund të kthehen në shtëpitë e tyre gjatë vitit të ardhshëm, ndonëse shumë prej tyre po përballen me probleme të dokumenteve dhe pronës, të cilat duhet të zgjidhen nga qeveria në Damask.

Rreth 5.6 milionë refugjatë sirianë janë duke qëndruar në shtetet fqinje të Sirisë, në Turqi, Liban, Jordani, Egjipt dhe Irak. Kështu ka deklaruar Amin Awadi, drejtor i UNHCR-së për Lindje të Mesme dhe Afrikë Verioe. Në mesin e këtyre refugjatëve gjenden rreth një milon fëmijë, të cilët janë lindur jashtë vendit, ndërsa qeveria siriane ka vendosur që t’ua njohë certifikatat e lindjes, të lëshuara nga vendet tjera.

Llogaritet se gjatë këtij viti në Siri janë kthyer 37 mijë refugjatë. Shumica prej tyre janë vendosur në rajonin e Damaskut, Deraas dhe Homsit. “Lufta tashmë pothuajse ka përfunduar në pjesën më të madhe të vendit. Kanë mbetur edhe disa vatra të vogla lufte, përfshirë Idlibin, por edhe për atë zonë ka marrëveshje për armëpushim”, tha drejtori i UNHCR-së për Lindjen e Mesme.

UNHCR-ja ka bërë thirrje që vendeve fqinje të Sirisë t’iu dhurohen donacione në vlerë prej 5.5 miliardë dollarësh për të siguruar shërbime shëndetësore, ushqim, ujë dhe shkollim për refugjatët sirianë. Raportohet se ata janë detyruar të futen në borxhe dhe rreth 80 për qind e tyre jetojnë në varfëri të rëndë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.