Mungesa e stafit akademik, mungesa e literaturës por edhe e infrastrukturës, janë sfidat që e përcollën Universitetin e Prishtinës gjatë vitit 2018.

" />

UP nuk heq dorë nga prona te Kisha Serbe

UP nuk heq dorë nga prona te Kisha Serbe

Mungesa e stafit akademik, mungesa e literaturës por edhe e infrastrukturës, janë sfidat që e përcollën Universitetin e Prishtinës gjatë vitit 2018.

E përveç literaturës, UP-së po i mungojnë edhe studentë që lexojnë shumë.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, në një intervistë për KosovaPress, thotë se sfidat e UP-së për të, u kthyen në synime, megjithatë, ai pranon që sfidat e vitit 2018 ishin ato të mëparshmet.

“Sfidat edhe ashtu mbesin ato të vjetrat, mungesa e stafit akademik, edhe pse këtë vit e kemi rritur stafin akademik me 57 pjesëtarë të stafit akademik të ri që për herë të parë janë zgjedhur asistentë ose profesorë, pastaj, mungesa e infrastrukturës, objekte të reja, gjithmonë është sfidë literatura, edhe pse për të gjitha këto kemi gjetur zgjidhje, çdo njëra është procesuar”, thotë Dema.

Pikërisht mungesën e literaturës, Dema e konsideron një ndër sfidat më të mëdha të UP-së. Në mungesë të teksteve të përkthyera në gjuhën shqipe, në plot raste studentët po vazhdojnë të mësojnë përmes materialeve të quajtura skripta.

Por Dema thotë se përveç mungesës së literaturës, ata e kanë problem edhe t’i bindin studentët që të mësojnë për dije e të lexojnë më shumë.

“Jemi shumë të interesuar që t’i motivojmë dhe të kërkojmë nga studentët që të përdorin më shumë gjuhë të huaja sepse po jetojmë në një botë shumë dinamike dhe me gjuhën shqipe është e vështirë të shkohet shumë larg. Prandaj, ky do të jetë synimi ynë e synimi tjetër është që të përkthejmë sa më shumë literaturë bashkëkohore… 09:38 – 09:51 Problem prapë mbetet se si t’i bindim studentët që ta përdorin literaturën. Kjo është problem shumë i madh sepse neve studentët na vijnë prej shkollave fillore dhe të mesme ku më tepër mësohet për një notë ”, thotë Dema.

Sfidë për UP-në vazhdojnë të jenë edhe rastet e ngacmimeve seksuale në këtë institucion, ku vetëm gjatë vitit 2018, u raportuan disa raste, e madje, studentë e anëtarë të shoqërisë civile protestuan para rektoratit.

Pavarësisht kësaj, nuk u shkarkua ndonjë profesor që ishte i përfshirë në këto raste, por u shkarkua prorektorja Teuta Krasniqi-Pustina, për shkak të deklaratave të saj që u cilësuan seksiste.

Për këtë çështje, Dema thotë se ka formuar një komision me ekspertë, me qëllim të hartimit të një dokumenti, përmes të cilit UP synon ta luftojë dhe minimizojë këtë dukuri.

E pavarësisht sfidave, Dema thotë se UP korri edhe disa suksese gjatë vitit 2018.
“Pritjen time e kanë konsideruar si shumë ambicioze, por për më pak se dy vite Universiteti i Prishtinës është ngritur për më shumë se 1500 vende, pastaj unë as që e kam menduar që do të listohemi në bazën e të dhënave Scimago, e cila është një bazë e të dhënave shumë e fuqishme, ku jemi në pozitën e 713-të, që është një sukses mjaft i madh sepse asnjë universitet, asnjë akademi e shkencave, asnjë kolegj universitar, asnjë institut shkencor në të gjitha hapësirat shqiptare nuk është i listuar. Ne jemi të vetmit që kemi arritur të listohemi”, deklaron Dema.

Gjatë mandatit të rektorit Dema, Universitetit të Prishtinës i erdhi vendimi për humbjen e rastit ndaj Kishës ortodokse serbe, me ç’rast ajo tokë e kampusit u bë pjesë e Kishës, por Dema tregon se ata e kanë dërguar një lëndë në gjykatë dhe shprehet optimist se do ta fitojnë.

“Unë kam konsultuar ekspertët më të mirë që i kemi edhe brenda universitetit edhe jashtë, të cilët e kanë përgatitur lëndën dhe lënda është dërguar në gjykatë dhe po presim që të procedohet dhe besojmë që do ta fitojmë këtë kontest, por edhe nëse nuk e fitojmë, ne kurrë nuk do të ndalemi sepse kjo është pjesë e kampusit universitar, është në zemër të kampusit universitar”, deklaron Dema.

Për këtë vit, Dema tregon për disa projekte që do të marrin jetë në UP. Ai për KosovaPress ka treguar se në Fakultetin e Filologjisë kanë në plan të themelojnë edhe mediume.

“Pikërisht në gazetari kemi marrë hapa. Këshilli drejtues ka marrë vendim për themelimin e radios, do ta themelojmë edhe një portal, do të thotë Universiteti i Prishtinës është duke bërë progres”, deklaron Dema.

Përndryshe, rektori Dema ka premtuar që gjatë këtij viti do të rrisin numrin e bashkëpunimeve me institucione në mënyrë që studentët të kryen praktikën e të përgatiten më mirë për tregun e punës