Urime, vizat mund të hiqen më 2020

Paralajmërimi i Hahn shtyn festën e vërtetë për liberalizimin e vizave. Teksa, Bekim Çollaku e zyrtarët e tjerë të lartë shtetëror mund të udhëtojnë ende pa problem në Evropë, për qytetarët e Kosovës ky problem pritet të vazhdojë edhe më tej. 

Urime, vizat mund të hiqen më 2020

Vetëm pak javë pas muajit maj të vitit 2016, Bekim Çollaku kishte premtuar se qytetarët e Kosovës do të lëviznin pa viza nëpër Evropë. Madje për këtë, ish-ministri i Integrimeve Evropiane kishte festuar me shampanjë së bashku me stafin e tij. Kishte thënë se bëhej fjalë për një moment të jashtëzakonshëm.

“Urime qytetarëve, se ne si zyrtar dhe si ministra kemi pasur gjithmonë viza e nuk e kemi pasur problem”, kishte thënë fillimisht Çollaku, tash shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi.

“Mirëpo, më në fund e zgjodhëm problemin për qytetarët. Ky me të vërtetë është një moment i jashtëzakonshëm”, kishte mbyllur fjalimin e tij Çollaku, pak sekonda para se të hapte një shampanjë për të festuar liberalizimin e vizave, proces që ai parashihte se do të përmbyllej vetëm disa javë më vonë.

Atmosfera në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, pas propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave.

Posted by Radio Evropa e Lirë on Wednesday, 4 May 2016

Në të njëjtën ditë me Çollakun, edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi në mënyrë publike u kishte thënë qytetarëve të Kosovës: “Urime liberalizimi i vizave”.

Në të njëjtën linjë me Thaçin e Çollakun më 4 maj të 2016-s kishte qëndruar edhe asokohe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë Mustafa, Arban Abrashi.

Ai kishte bërë një postim Facebook, duke shkruar: “Urime liberalizimi i vizave, urime Kosovë”.

Mirëpo, kanë kaluar shumë javë e janë bërë më shumë se dy vjet që prej premtimeve të Çollakut, Thaçit e Abrashit dhe qytetarët e Kosovës kanë mbetur ende vendi i vetëm në Evropë pa liberalizim të vizave.

E izolimi i qytetarëve pritet të vazhdojë. Kjo pasi procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës vazhdon të stagnojë, raporton Insajderi. Kështu paralajmëroi sot Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian, Johannes Hahn. Ai tha se ka ende punë për përmbylljen e këtij procesi.

Paralajmërimi i Hahn shtyn festën e vërtetë për liberalizimin e vizave. Teksa, Çollaku e zyrtarët e tjerë të lartë shtetëror mund të udhëtojnë ende pa problem në Evropë, për qytetarët e Kosovës ky problem pritet të vazhdojë edhe më tej.

Komisioneri për Zgjerim ka thënë se procesi do të përmbyllet pasi të miratohen të gjitha dispozitat ligjore nga Bashkimi Evropian.

“Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë të implementojmë dhe kjo ka nisur me raportin dhe është marrë Parlamenti, i cili ka vendosur me një shumicë”, ka thënë sot Hahn.

Hahn kërkoi nga kosovarët të kenë durim edhe për disa muaj që të merret pëlqimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Tash çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se viti 2020 është më realisti, por mos u bëni peng i numrave”, u shpreh Hahn.

Konfirmimi i Johannes Hahn se liberalizimi i vizave pritet të ndodhë në vitin 2020, konfirmon edhe izolimin dhe mllefin e qytetarëve të Kosovës për shumë muaj të tjerë. /Insajderi.com