Ushtria izraelite vret një të ri palestinez

Ushtria izraelite vret një të ri palestinez

Ministria e Shëndetësisë në Palestinë ka njoftuar se një djalë 21-vjeçar palestinez është vrarë nga forcat izraelite në kufirin e Gazas. Ngjarja tragjike ndodhi vetëm disa orë para protestave të planifikuara për të shtunën.

Kjo ministri tha se 21-vjeçari Mohammed Saad vdiq pasi u godit në kokë nga copat e metalta që janë shpërndarë nga të shtënat e ushtrisë izraelite. Autoritetet izraelite nuk e kanë komentuar ende këtë deklaratë.

Protestuesit që ishin afër vendit ku u qëllua i riu kanë thënë se ata ishin duke marrë pjesë në një marshim gjatë natës para protestës kryesore që është planifikuar të mbahet pasditen e së shtunës.

Ata thanë se i riu që u vra ndodhej 100 metra larg rrethojës së kufirit në momentin që u qëllua dhe se ishte duke përdorur paterica për shkak të një lëndimi të mëhershëm.

Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në protestën e së shtunës, e cila do të mbahet në pika të ndryshme përgjatë kufirit mes Gazas dhe Izraelit. Kjo protestë u organizua një vit pas protestave masive për rikthimin e refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre, të cilat tashmë ndodhen në territorin e Izraelit.

Të paktën 259 palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i këtyre protestave. Shumica e vrasjeve kanë ndodhur pranë kufirit.