Jakup Krasniqin e viziton vajza në Hagë: Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti

Jakup Krasniqin e viziton vajza në Hagë: Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti

Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka njoftuar të premten se ka vizituar babanë e tij në Hagë, pasi Gjykata Speciale ka filluar me lejimin e vizitave për familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar për takimin që ka pasur pas tetë muajsh me babanë e saj, duke thënë se pas kaq muajsh “sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti babi”.

“Harruam gjithçka. Harruam dhimbjen, pritjet, vuajtjet. Jeta është e padrejtë me njerëzit e mirë. Sa i mirë je ti babi, sa shumë padrejtësi durove. E kisha ëndrru këtë moment herë në gjumë e herë me sy qel. Para pasqyrës, çdo mëngjes i përsërisja fjalët që do t’i thoja, para teje u bëra e heshtur.

Sa na kishe munguar! Sa e rënd ishte të shoh aty, por të pash më të fort se herëve tjera, megjithëse përballeshe me të tjera padrejtësi të pash më të buzëqeshur se herëve tjera, mjekra e bardhë që ti numëron vitet plot vuajtje të ka bërë edhe më të pashëm”, ka shkruar ajo.

Tutje, Krasniqi është shprehur “ti nuk kthehesh babi, kisha lexuar shumë shkrime nga ish të burgosur, që tregonin historitë e tua sikur të një superheroi”.

“U binda babi, ti nuk thehesh. Ti bëhesh më i fort, e kjo më gëzoi. Sa na kishe munguar. E di, ti edhe njëherë i duhesh Kosovës dhe UÇK-së. Por, na duhesh edhe neve. Padrejtësia babi, vret më shumë se plumbi. U ç’mallem thua, po ky mall vështirë se kalon. Të duam”, përfundon shkrimi i Gresa Krasniqit.

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi po mbahet në paraburgim në Hagë pasi akuzohet për krime lufte.

Ish-kreu i UÇK-së më 9 nëntor, në paraqitjen e tij të parë, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë./Insajderi.com