fbpx

Vala-TV produkti më i ri i Telekomit të Kosovës

Telekomi i Kosovës ka prezantuar sot produktin më të ri të Valës i quajtur Vala-TV, i cili është një aplikacion që mundëson shikimin e programeve televizive në telefona mobil.

Vala-TV produkti më i ri i Telekomit të Kosovës

Me rastin e lansimit të këtij produkti, kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, tha se për këtë aplikacion kanë punuar mbi një vit dhe se përmes këtij, aplikacioni konsumatorët do të kenë mundësi që me cilësi të shkëlqyer të marrin shërbime televizive.

 

 

Sipas tij, investimet e tilla e bëjnë Telekomin e Kosovës lider në krijimin e shërbimeve të reja teknologjike.

Istrefi: Shërbimi VALA TV do të ofrojë qasje të lehtë dhe të personalizuar të konsumatorit.

“Fal këtij investimi, Telekomi i Kosovës përveç ofrimit të shërbimit të internetit dhe IPTV-së nga sot do të ofrojnë edhe shërbimin  OTT over the top, në rrjetin e telefonisë mobile dhe në atë fikse duke u fuqizuar më tej si kompani lider në fushën e telekomunikacionit.  Shërbimi VALA TV do të ofrojë qasje të lehtë dhe të personalizuar të konsumatorit përmes aplikacionit të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, e i cili tashmë mund të gjendet në AppStore dhe PlayStore. Nëpërmjet këtij aplikacioni konsumatorët do të kenë mundësi jo vetëm të përjetojnë eksperiencën dhe cilësinë e shkëlqyer të shërbimeve televizive, por në të njëjtën kohë mund të përdorin të gjitha elementet interaktive për të shikuar TV në cdo moment dhe në cdo kohë”, tha ai.

Istrefi bëri të ditur se në Vala-TV bëjnë pjesë kanalet televizive më të shikuara të vendit, duke bërë të mundur që konsumatori të ketë zgjidhje të shumta në këtë shërbim. Kjo sipas tij, e bënë VALA TV operatorin më të rëndësishëm dhe më të kërkuar në vend.

Ai tha se synojnë që të bëhen referenca numër një për ofrimin e platformave televizive nëpërmjet mjeteve digjitale.

Istrefi: Sfidë e përhershme e Telekomit do të mbetet ofrimi i produkteve inovative.

“Krahas prezantimit dhe lansimit të këtij produkti më të ri dhe tejet të kërkuar nga konsumatorët tanë, si dhe produktet tjera që pritet të lansohen gjatë këtij viti, sfidë e përhershme e Telekomit të Kosovës gjithnjë do të mbetet ofrimi i produkteve inovative. Përmbushja e kërkesave dhe realizimi i plotë i pritjeve dhe kujdesit ndaj konsumatorëve tanë, andaj e them hapur dhe pa asnjë dilemë se do të jemi të vendosur, të përkushtuar, që Telekomi  Kosovës të prijë gjithnjë si lider i shërbimeve në vend”, tha ai.

Një risi që do të jetë në Vala-TV është rikthimi i serialit vendor “Kafeneja jonë”. Këtë e ka bërë të ditur producenti i këtij seriali Shkumbin Istrefi, i cili tha se fal këtij bashkëpunimi do të rikthehen serish me episode të reja.

Istrefi: “Kafeneja jonë” rikthehet në VALA-TVV

“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu për të shpallur rikthimin e serialit ‘Kafeneja jonë’ me një cikël të ri, një sezon po shpresoj të gjatë në bashkëpunim me Telekomin e Kosovës. Jam shumë mirënjohës Telekomit të Kosovës fillimisht për avancimet teknologjike që është duke i bërë dhe jam shumë i lumtur që në një të ardhme shumë të afërt do të mund ta ndiqni episodet e reja të serialit ‘Kafeneja jonë’ përmes Telekomit të Kosovës”, tha ai.