Valdete Idrizi viziton në fushatë universitetin e politizuar nga PDK-ja

Valdete Idrizi viziton në fushatë universitetin e politizuar nga PDK-ja

Kandidatja e PDK-së për kryetare të komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, është takuar me profesorët dhe administratën e Universitetit të Mitrovicës, duke politizuar edhe më shumë këtë institucion.

Nikoqir i takimit ka qenë Alush Musaj, rektori i universitetit të Mitrovicës, i cili në mandatin e Bajram Rexhepit (2007-2009) ishte drejtor i Drejtorisë për Inspeksion në komunën e Mitrovicës.

Isuefi gjithashtu është njëri prej themeluesve të degës së PDK-së, ku ka ushtruar edhe detyrën e sekretarit të degës së PDK-së në Mitrovicë.

Në këtë takim me karakter politik në prag të zgjedhjeve të balotazhit, ishte prezent edhe menaxheri i Trepçës dhe profesori i Universitetit të Mitrovicës, Ahmet Tmava, i cili për rreth 10 vite ka qenë kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Por, përveç dy personave të larpërmendur që kanë lidhje me PDK-në, Idrizin e ka pritur edhe një anëtar i PDK-së.

Bëhet fjalë për ish kandidati i PDK-së për asambleist në zgjedhjet e 22 tetorit, Alban Fazliu, i cili është përfaqësues i një organizate studentore, shkruan Veriu.info.

Valdete Idrizi në këtë takim është shoqëruar nga kryetari i degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, e i cili është pritur edhe nga ish zëvendësi i tij, përkatësisht ish nënkryetari i komunës së Mitrovicës në mandatin 2009-2013, Rizah Haziri, i cili pas humbjes së PDK-së në zgjedhjet e vitit 2013 është punësuar si shërbyes civil në Universitetin e Mitrovicës, duke ngjallur edhe reagime të oponentëve politik për politizim të UM-së. /Insajderi.com