Vandalizohet memoriali i vendosur te parku i Liqenit Artificial në Tiranë në nder të viktimave që kundërshtuan tentativën e grushtit të shtetit në Turqi.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Pllaka është dëmtuar në pjesën anësore të saj.
“Një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar me sende të forta një pjesë të një memoriali” thotë policia.
Grupi hetimor po kryen veprimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit
Vendosja e këtij memoriali në liqenin artificial të Tiranës u shoqërua me reagime të shumta, kryesisht në rrjetet sociale. Memoriali i kushtohet viktimave të tentativës për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të 2016-ës, kundër presidentit Rexhep Taip Erdogan.
Grushti i shtetit dështoi, ndërsa Erdogan bëri përgjegjës ish-mikun e tij, klerikun Fethullah Gylen, si autor të sulmit.
Mirëpo javë më parë ish-deputeti socialist Eduart Ndocaj kishte bërë thirrje në rrjetin social Facebook, përsa i përket memorialit tur të vendosur te Liqeni Artificial i Tiranës.
Ndocaj ka postuar një foto të memorialit për të rënët e grushtit të shtetit në Turqi, në vitin 2016 dhe sipër saj shkruan se kush e shemb do të paguhet nga ai me një shumë prej 2000 eurosh. Por mesa duket ish-deputeti është bërë pishman pas postimit dhe e ka fshirë atë, nuk dihet se kush qëndron prapa vandalizmit të memorialit.
