Vazhdojnë kërkimet për policët që ranë në lumin Lepenc

Vazhdojnë kërkimet për policët që ranë në lumin Lepenc

Mbrëmë një veturë e Policisë ka humbur kontrollin dhe ka rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Si pasojë dy policët që ishin në veturë janë zhdukur dhe deri më tani nuk janë gjetur, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt.

“Në një aksident trafiku të ndodhur me 28.4.2018 rreth orës 20:45 minuta në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur Kulla me qeshme, një veturë e Policisë së Kosovës në të cilën ishin dy policë, për shkaqe ende të panjohura, humb kontrollin dhe kalon në anën e majtë të rrugës dhe nga një lartësi bie në rrjedhën e lumit Lepenc. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, njësiti i zjarrfikësve, ndihma e parë , njësiti i FSK-së dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të gjitha njësitë janë duke kontrolluar terrenin ku ka ndodhur aksidenti, por deri tani nuk kanë arritur të gjejnë policët e aksidentuar”, përfundon njoftimi i PK-së.