" />

Vazhdon gjykimi ndaj zyrtarëve që nxorën sekrete tregtare për importin e veturave nga djali i ish-kryeministrit Mustafa

Vazhdon gjykimi ndaj zyrtarëve që nxorën sekrete tregtare për importin e veturave nga djali i ish-kryeministrit Mustafa

Të enjten, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, kanë dhënë mbrojtjen e tyre dy nga tre të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Enliat Shala dhe Ramadan Latifaj.

Në këtë rast, bashkë me ta po akuzohet edhe Isa Shiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala, akuzohen se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre, duke hapur sistemin “Asycuda”, në kompjuterin e punës në zyrën e të akuzuarit tjetër, Isa Shitit dhe kishin printuar Deklarata Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C, me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i njëjti “DUD”, thuhet se ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen “MAKCAR” dhe pronarit të saj, Mustafa.

Ndërsa, Isa Shiti bashkë me Enliat Shalën, akuzohen gjithashtu se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Për shkak të ndërprerjes së seancës së kaluar, të mbajtur më 15 tetor të këtij viti,  ky shqyrtim gjyqësor ka vazhduar me dhënien e dëshmisë së të akuzuarit Shala.

Në seancën paraprake, ai kishte thënë se në mars të vitin 2016, kishte punuar si zyrtar i lartë doganor në Doganën e Kosovës, në Sektorin e Antikontrabandës për regjionin e Ferizajt.

Lidhur me ngjarjen që kishte ndodhur më 16 mars 2016, Shala kishte deklaruar se pas përfundimit të disa kontrolleve, atë ditë, rreth orës 09:00 kishte shkuar në terminalin e Hanit të Elezit, ku rastësisht ishte takuar me të akuzuarin Shiti, nga kompjuteri i të cilit kishte tentuar të printonte disa dokumente të fakultetit, por që nuk i kishte printuar, meqë sipas tij, printeri nuk kishte punuar.

Në vazhdim të dhënies së mbrojtjes së tij, Shala tha se këto dokumente kishin të bënin me një konkurs për studime doktorate, por që dita kur kishte tentuar t’i printonte ato nuk kishte qenë afati i fundit i atij konkursi.

“Ka qenë java e fundit për të aplikuar, por jo dita e fundit. Unë desha me i printu që të parapërgatitem për këtë aplikim”, deklaroi Shala.

Ndërsa, Shiti tha se së bashku me Shalën janë ballafaquar me njëri-tjetrin, ku lidhur me kohën e takimit të tyre, të dy kanë deklaruar se takimi ishte bërë në kohë të ndryshme.

“Më 16 mars 2016, rreth orës 11:56 unë e kam dorëzuar raportin ditor tek menaxheri, e pastaj menjëherë jam takuar me Enliat Shalën dhe Selim Tahirsylën në restorantin e terminalit doganor të Hanit të Elezit. Enliati nuk është ulur me ne, dhe në besim ka shkuar në zyrën time për të printuar disa dokumente si dhe në besim ia kam dhënë çelësin e zyrës atij. Për shkak të respektit të Selimit, nuk kam shkuar së bashku me të në zyrë. Pas 10 minutave kemi shkuar tek zyra, dhe aty e pash Enliatin afër printerit. Unë kam tentuar ta ndihmoj, por ai ka refuzuar duke më thënë “jo, se i printoj diku tjetër”. Unë e pash në kompjuterin tim se ishte i hapur email-i i tij. Pas kësaj janë larguar, pasi që ishte koha e pauzës”, ka thënë Shiti.

Se takimi ishte bërë në ora 09:00, siç pretendon i akuzuari Shala, për këtë Shiti tha se nuk është e vërtetë.

“Ata kanë mujt me ardhë në atë kohë, por takimi mes neve nuk është bërë në këtë kohë”, shtoi ai.

Ndërsa, për kohën e takimit, Shala tha se rreth orës 09:00, së bashku me Tahirsylajn kishin shkuar tek terminali i Hanit të Elezit, dhe aty ishin takuar me të akuzuarin Shiti.

“Jemi ulë në restorant, kemi porositë kafe, dhe në bisedë e sipër e njoftova Isën se kam me i printu disa dokumente për fakultet, dhe në shenjë të respektit ai më tha se mund ta përdorësh zyrën time. Në zyrën e Isës kam qëndruar rreth 3-4 minutave, dhe pasi që nuk munda ta printoj dokumentin, jam kthy prapë në tavolinën ku kemi qenë ulur ne të tre, dhe gjatë bisedës i kam treguar Isës se printeri nuk po të punon, dhe që të tre jemi kthyer në zyrë. E kam hapë email-in edhe njëherë, Isa ishte afër, dhe meqë prapë nuk munda ta printoj, atëherë jemi përshëndetë dhe kam dal nga zyra. Për herë të dytë kam qëndruar rreth 5-6 minuta”, tha Shala.

Në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen i akuzuari i tretë dhe i fundit, Ramadan Latifaj.

Më 10 mars 2016, ai tha se në zyrën e tij, në terminalin doganor “Fitorja” në Ferizaj, kishte shkuar i akuzuari Shala, i cili atëherë kishte punuar doganier në Sektorin e Antikontrabandës, dhe kishte kërkuar nga ai që t’ia hapte një deklaratë doganore për ta shikuar.

“Ka kërkuar informata për pjesë të veturave të llojit BMW, por meqenëse nuk e ka specifikuar kërkesën e tij për dokumentin e tillë, dhe meqë kjo deklaratë përmbante shumë emërtime-produkte, unë i thash që të vinte një ditë tjetër për t’ia ofruar informatat e kërkuara, por ai më pas nuk ka kërkuar ndonjë informatë nga unë”, tha Latifaj.

Pas shikimit të këtij DUD-i, e njëjta tha se ishte mbyllur, dhe asnjë dokument tjetër nuk është hapur.

Lidhur me ofrimin e këtyre deklaratave për shikim, për këtë tha se është punë rutinor, e paraparë edhe në Kodin Doganor, i cili sipas tij, i lejon që këto deklarata t’i hapin për t’i shikuar, rivlerësuar apo edhe ndryshuar ato

Tutje, ai shtoi se nga kompjuteri i tij nuk ishte printuar asnjë DUD që lidhet me firmën “MACCAR”, dhe se të njëjtat ishin publikuar në media, këtë tha se e kishte kuptuar pas intervistimit nga Njësiti i Standardeve Profesionale.

Po ashtu, ai tha se kishin qenë tre ekspertë të IT-së për të ekzaminuar kompjuterin e tij, ku ishte konstatuar se më 10 mars 2016, nga ora 11:31 deri në ora 11:34 ishte printuar DUD-i me numër R7820.

Lidhur me datën, orën dhe numrit e deklaratës, për këtë tha se ishte njoftuar nga Njësiti për Standarde Profesionale.

Seanca e radhës është caktuar më 19 nëntor 2019, në ora 10:00, ku do të jepet fjala përfundimtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2019, Prokuroria Themelore në Ferizaj, po akuzon Ramadan Latifajn dhe Enliat Shala, se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me kërkesë të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Ramadan Latifaj kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe kishte printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D me seli në Beograd, Republika e Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të njëjtit akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar nga neni 292 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më datë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR” dhe atë numrin e DUD-it.

Ndërsa, Isa Shiti dhe Enliat Shala, akuzohen se më 16 mars 2016, afër vendkalimit Hani  i Elezit, si person zyrtar dhe të i akuzuari Shala, doganier në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, kurse i akuzuari Shiti shpediter në “Interevropa”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Shiti e kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe kishte printuar DUD-in të importuesit “MAKCAR” LL.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D, me seli në Beograd të Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me çka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Isa Shiti dhe Enliat Shala akuzohen edhe për veprën tjetër se në bashkëkryerje kanë  kryer veprën penale “komunikimi i paautorizuar  i sekretit tregtar”, nga neni 292 paragrafi1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”.