Vazhdon ‘lufta’ me Kallëzime Penale mes presidentit Thaçi dhe Lëvizjes Vetëvendosje

Vazhdon ‘lufta’ me Kallëzime Penale mes presidentit Thaçi dhe Lëvizjes Vetëvendosje

Deklaratës për “Vëllavrasje”, ia pa sherrin kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Sot në lidhje me këtë deklaratë publike të të parit të Mitrovicës, njëherësh edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deponuar kallëzim penal presidenti Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Insajderi.

“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe do t’ia kallëzojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hyni në një konflikt vëllavrasje, sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshuar me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj, sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe t’i shpallë zgjedhjet…”, kishte deklaruar Bahtiri.

Këtë deklaratë Bahtiri e kishte dhënë me 30 mars, ku po atë ditë u intervistua nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Ndërsa po atë ditë, një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës e kishte dërguar bashkëpartiaku i Bahtirit, Xhelal Sveçla, për thirrjen e presidentit Thaçi për të mosrrespektuar masat e Qeverisë. Ndërsa shtatë ditë më vonë, presidenti Thaçi, dorëzon kallëzim penal ndaj Bahtirit.

Sipas Kallëzimit Penal që mësohet se ka bërë presidenti Thaçi, të cilin e ka konfirmuar edhe zyra e tij, Agim Bahtiri ka bërë deklarime që shkojnë në dëm të vendit, të progresit dhe pavarësisë së Kosovës.

Por përveç presidentit Thaçi, pak pas kësaj deklarate të Bahitirit edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës kishte nisur hetimet ndaj të parit të Mitrovicës, mbi dyshimet për “nxitje të përçarjes dhe mos durimit”.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton publikun që me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është intervistuar sot Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut A.B., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në kumtesën e Prokurorisë.

E po atë ditë, një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ishte dërguar edhe ndaj presidentit Thaçi, nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike nga VV,  Xhelal Sveçla.

Ky kallëzimin penal është bërë në lidhje me deklarimet e presidentit Hashim Thaçi, për të mos respektuar vendimet e Qeverisë në raport me masat mbrojtëse kundër COVID-19.

Më 23 mars, presidenti Thaçi në konferencë për media u kishte thënë qytetarëve se nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë.

“As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, kishte thënë presidenti Thaçi.

E kjo rezultoi të jetë mollë sherri, pasi që, këtë deklaratë e përkrahi edhe ish-ministri i Brendshëm nga LDK Agim Veliu, i cili të nesërmen u shkarkua nga shefi i tij Albin Kurti.

Kësisoj, pas disa ditësh partneri qeverisës i VV-së, LDK, dorëzoi mocion mosbesimin për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Ky mocion mori 82, dhe kështu Qeveria Kurti, u rrëzua.

Ndërsa tash, krejt ajo mbi të cilën po shkaktohen debatet shumicën e kohës kërcënuese, është se a duhet të shkohet në zgjedhje apo të formohet një qeveri teknike./ Insajderi.com