Vazhdon përplasja në distancë ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti

Vazhdon përplasja në distancë ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka parë “frikë, paranojë dhe konspiracion” tek kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Thaçi, në një intervistë për emisionin “Open” të Top Channel, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, më 22 mars, Albin Kurti ishte “i papërgatitur dhe kokëfortë” para gjendjes me të cilën përballej Kosova.

“Liderët e partive politike të Kosovës më kanë rekomanduar mua si president që t’i drejtohem Kuvendit të Kosovës për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Natyrisht unë kam kërkuar të kem një konsultë me kryeministrin, dhe pas asaj konsulte kam kërkuar që të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë”, ka thënë Thaçi.

“Në atë mbledhje kam parë një frikë, paranojë dhe konspiracion të Kryeministrit Kurti. Duke e parë kokëfortësinë e tij, i pa përgatitur me gjendjen e re, kryeministri ka lëvizur në një drejtim anti-kushtetues duke shpallur orë policore”, ka thënë Thaçi.

Thaçi, po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës ka shfaqur “papërgjegjësi ekstreme” në raport me menaxhimin e situatës emergjente me koronavirus (COVID-19).

Thaçi ka deklaruar se Kosova do të kishte numër më të vogël të të infektuarve, nëse Qeveria Kurti do të merrte masa më rigoroze për menaxhimin e COVID-19.

“Jam i bindur se nëse do të merreshin masa që në fillim, nuk do të kishim as këtë numër të të infektuarve. Ky komoditet, me ardhjen e njerëzve që s’janë futur fare në karantinë, dhe rrethanat e tjera -të mos kontrollimit të kufijve – kanë pasur efekt negativ”, ka deklaruar Thaçi në emisionin Open të Top Channel. /Insajderi.com