Vazhdon saga e votave të mërgatës – del edhe një vendim tjetër

Vazhdon saga e votave të mërgatës – del edhe një vendim tjetër

Gjykata Supreme ka vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket numërimit të  4 mijë e 639 votave të diasporës të cilat kanë ardhur me vonesë në adresë të KQZ-së.

Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ, ka thënë se ata do të presin vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje vendimin e Gjykata Supreme për numërimin e këtyre votave nga diaspora.

A ka thënë se KQZ nuk mundet të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare pa një vendim të PZAP-së në lidhje me 4 mijë e 639 votat që kanë ardhur me vonesë.

Kryesuesi i PZAP-së, Mulë Desku tha se PZAP do të dal me një vendim të hënën lidhur me vendimin e Supremes.

“Nuk ka vendim deri të hënën, gjyqtarët e kanë marrë vendimin e Supremes dhe e shqyrtojnë e analizojnë por deri të hënën nuk ka vendim” ka thënë Desku për Express.

Deri më tani janë numëruar votat e rregullta, votat e diasporës që kanë ardhur në afatin e rregullt kohor, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Nga numërimi i këtyre votave rezultati i përgjithshëm nxjerr të parën Lëvizjen Vetëvendosje, të dytën Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në vendin e tretë Partinë Demokratike të Kosovës.

Nisma Social Demokrate sot në një konferencë për media kanë deklaruar se kjo partia ka kaluar pragun zgjedhor prej 5% dhe se do të jenë pjesë e Kuvendit./Insajderi.com