Vdes gazetari Ganimet Klaiqi

Vdes gazetari Ganimet Klaiqi

“Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë”, ishte porosia e fundit publike e gazetarit Ganimet Klaiqi pak orë para se të jepte frymën e fundit.

Gazetari shumëvjeçar i “Kohës Ditore”, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ai nuk mundi ta mundte sëmundjen e rëndë të kancerit.

Klaiqi kishte lënë gazetarinë dy vjet më parë për t’ju përkushtuar jetës akademike. Megjithatë, vazhdonte të jetonte e frymonte si gazetar.

I tillë ishte mesazhi i tij i fundit i dhënë të dielën pasdite në “Facebook”, shoqëruar me disa fotografi që tregonin gjendjen e tij të rëndë, por i rrethuar nga familja.

“Të nderuar miq, profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur, vëllezër e motra, që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim”, shkruante ai.

“Lajmet nga shoqnia po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje, për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra liria e shprehjes ishte dhe mbeti bosht i demokracisë. Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë. Ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam”, ishte porosia e tij e fundi. /Insajderi.com