Vdes në spital 26-vjeçari i plagosur me plumb në kokë – Shpallen në kërkim djemtë e pronarit të vilës

Vdes në spital 26-vjeçari i plagosur me  plumb në kokë – Shpallen në kërkim djemtë e pronarit të vilës

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në rrugën “Muhamet Gjollesha” në kryeqytet, ku një punëtor 26-vjeçar u qëllua me plumb në kokë dhe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital. Sipas policisë, të përfshirë në këtë ngjarje janë djemtë e pronarit të vilës ku 26-vjeçari Indrit Çela punonte për kondicionimin e kësaj ndërtese.

Dy vëllezërit G.K. 31 vjeç dhe A.K. 28 vjeç janë shpallur në kërkim. Kurse janë arrestuar katër persona, mes tyre babai i dy vëllezërve, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Indrit Çela po kryente sistemin e kondicionimit të vilës 3-katëshe kur u kofliktua me dy djemtë e pronarit. Gjatë sherrit, vëllezërit e qëlluan me armë duke e lënë të plagosur rëndë me plumb në kokë. Fatkeqësisht, i riu ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spital.

Në flagrancë u arrestuan babai i vëllezërve, K.B. 54 vjeç, E.S. 43 vjeç për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe F.B. 41 vjeç dhe L.Ç. 36 vjeç. Pasditen e së enjtes, policia shpalli në kërkim një person me iniciale L.V. si i dyshuar për ngjarjen e rëndë.

Por sot policia sqaron se ky person ka lidhje shoqërore me 4 të arrestuarit. Ata i kishin kërkuar atij që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.  27-vjeçari me iniciale L.V. u ndalua gjatë natës nga policia, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën arrest në burg për veprat  penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.