Vdes një person nga Kamenica, dyshohet se nga COVID-19

Vdes një person nga Kamenica, dyshohet se nga COVID-19

Pas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike se vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 15 pacientë të infektuar me COVID, bëhet e ditur se ka ndërruar jetë edhe një person tjetër, i cili dyshohet po ashtu se vdiq nga virusi, njofton Insajderi.

Megjithatë, jo gjithçka ka qenë e qartë në raportin për vdekjen e 77 vjeçarit nga Kamenica.

Ajo që dihet është se ai ishte infektuar me COVID-19 dhe për këtë ishte shtrirë edhe në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, por shefi i Shtabit Emergjent të Komunës së Kamenicës, Ramadan Basha, ka deklaruar për portalin Lajmi.net se tashmë viktima ka qenë i shëruar nga Coronavirusi.

Sipas Bashës, i moshuari e kishte kaluar sëmundjen, por jetën ia morën sëmundje të tjera që kishte, sepse ai “ishte shëruar qysh me 18 korrik”.

“Në bazë të shënimeve që i kemi ne, personi në fjalë ka qenë i shëruar nga COVID-19 dhe ne e kemi konfirmimin zyrtar se ai ka qenë i shëruar nga COVID-19 por ka qenë me sëmundje të tjera”.

Por, në momentin e vdekjes, 77 vjeçari ishte i shtruar në Klinikën Infektive në Gjilan dhe drejtori Klinik i këtij Spitalit të Gjilanit, në një prononcim për Klan Kosovën, raportohet ta ketë konfirmuar vdekjen e pacientit nga virusi, paçka se edhe ai konstaton se kishte sëmundje tjera.

“Pas orës 15:00 sot ka ndërruar jetë edhe një person që ka pasur sëmundje të tjera dhe ka qenë me një anemi të rëndë që fatkeqësisht nuk mundi t’i përballojë”, ka thënë Ukshin Ismaili.

Përkundër masave të reja nga Qeveria e Kosovës, ende nuk është parë rënie në numër të të infektuarve nga COVID-19, derisa është shënuar rritje e madhe e vdekjeve, sidomos dy ditët e fundit.

Vetëm të enjten dhe të premten, janë regjistruar 31 vdekje të shkaktuar nga Coronavirusi në Kosovë./Insajderi.com