Vdes Shashivar Hoti, kryetar i Trupit Gjykues në rastin “Pronto”

Vdes Shashivar Hoti, kryetar i Trupit Gjykues në rastin “Pronto”

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shashivar Hoti, ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi.

Siç ka njoftuar ajo, gjykatësi tashmë i ndjerë ishte në pushim vjetor, ndërsa i është përkeqësuar gjendja shëndetësore për çka dje edhe e kanë dërguar në spital, njofton Insajderi.com.

Ajo tutje njoftoi se ashtu siç i kishte thënë i biri i tij, Hoti nuk është testuar për coronavirus, ndërsa vetëm dje kishte pasur probleme me frymëmarrje dhe më pas edhe kishte vdekur në spital.

“Gjyqtari ka qenë në pushim vjetor ndërsa djali i tij më njoftoi se i është përkeqësuar gjendja dhe ka vdekur. Nuk është testuar për COVID-19. Vetëm dje ka pas problem me frymëmarrje dhe e kanë dërguar në spital, ku edhe ka vdekur. Sipas familjarëve nuk ka pas simptoma, tash mbetet të shihet”, ka thënë Bytyqi.

Hoti ka qenë njëri prej gjykatësve kryesorë në Themelore, midis tjerash edhe kryetar i Trupit Gjykues në rastin “Pronto”.

Për vdekjen e gjykatësit ka njoftuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila me anë të një njoftimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për familjarët, kolegët dhe miqtë e të ndjerit.

“Ndërron jetë gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shashivar Hoti
Prishtinë 18.07.2020 – Pas një sëmundje të shkurtë ka ndërruar jetë gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Shashivar Hoti.
Lajmin gjykata e ka pranuar nga të afërmit e të ndjerit.
Gjykata Themelore në Prishtinë shpreh ngushëllime familjes, kolegëve, dhe të gjithë miqëve të ndjerit Hoti.
Gjykata përherë do ta kujtoj gjyqtarin Shashivar Hoti për punën e madhe, urtësinë dhe virtytet e larta të tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sot është raportuar se ka vdekur edhe Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ismet Ukshini, i cili ishte i infektuar me koronavirus. Përveç COVID-19, Ukshini kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. /Insajderi.com/