
Ai vdiq në moshën 77 vjeçare Në moshën 77 vjeçare ka vdekur dirigjenti i parë i Kosovës dhe njëri ndër themeluesit e Filarmonisë së Kosovës, Bahri Çela.
Çela, ka studiuar në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd. Specializoi në Konservatorin e Shën Petersburgut në Rusi, te pedagogu i njohur, Prof. A.P. Musin, dhe në Nicë të Francës te dirigjentët e njohur francez P. Dervaux dhe F. Quatrocchi.
Pas studimeve u punësua në Radio Prishtinë si producent i muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Një kohë punoi si pedagog – udhëheqës i korit në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë. Bahri Çela, po ashtu ishte dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTP-së në vitet 1979, ku dirigjoi vepra të shumta si dhe Uverturë nga Opera “Goca e Kaçanikut”.
Çela kishte vite që jetonte në Londër. Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Kreshnik Çela në rrjetin social Facebook.
Ndërsa, ende nuk është bërë e ditur se kur do të bëhet varrimi i tij.