Veliu: Do ta analizojmë me kujdes humbjen në Podujevë, që të rikthehemi triumfalisht në zgjedhjet e ardhshme

Veliu: Do ta analizojmë me kujdes humbjen në Podujevë, që të rikthehemi triumfalisht në zgjedhjet e ardhshme

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është deklaruar rreth zgjedhjeve të djeshme në komunën e Podujevës, ku partia të cilës i takon u rendit e dyta në këtë garë, njofton Insajderi.

Veliu thotë se këtë humbje nga Lëvizja Vetëvendosje, do ta analizojnë me kujdes, do të identifikojnë dhe korrigjojnë magësitë e tyre në mënyrë që të rikthehen triumfalisht në Podujevë, në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku tutje tha se si parti e respektojnë vendimin e sovranit, ashtu sikurse e kanë respektuar për 31 vite që nga themelimi i partisë.

“Llapjanët folën dje. Kur flet sovrani të gjithë duhet të heshtin. Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira. E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë”, ka thënë ai.

“Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme”, shton tutje Veliu. /Insajderi.com