Veliu: Nuk ka dorëheqje në nëndegët e LDK-së, nuk përçahemi

Veliu: Nuk ka dorëheqje në nëndegët e LDK-së, nuk përçahemi

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka thënë se dega e kësaj partie në rajonin e Llapit “nuk luhatet e as nuk përçahet”, teksa ka mohuar raportimet e mediave për dhjetëra dorëheqje nga nëndegët e LDK-së në Podujevë.

Në një shënim të gjatë në Facebook, Veliu ka thënë se lajmi i publikuar në media të mërkurën në mbrëmje, i cili sugjeronte se 27 kryetarë të nëndegëve të LDK-së në Podujevë kanë dhënë dorëheqje, është i pavërtetë.

“Lajmi i plasuar sot nga ky portal, e të cilin shpejt e konsumuan edhe portale të tjera, madje edhe nga ato që konsiderohen si serioze e të besueshme, nuk është kurrgjë tjetër veç një shpifje dhe rrenë, të cilën nuk do ta besojë askush”, ka thënë Veliu.

Sipas Veliut, i cili udhëheq me Komunën e Podujevës, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë i ka rezistuar edhe më parë “mësymjeve më të forta nga rivalët politikë”, por është shprehur i bindur në unitetin e partisë në këtë komunë.

“Pavarësisht, se kush është porositësi, e kush sajuesi i kësaj të pavërtete, atyre që dëshirojnë përçarjen dhe destabilizimin e partisë kryesore në Llap, ua bëjmë me dije se LDK në Llap, u ka rezistuar edhe mësymjeve më të forta nga rivalët politikë, prandaj as nuk luhatet e as nuk përçahet, nga lajme që sajohen në kuzhinat anti-LDK”, ka deklaruar Veliu.

Ai ka thënë se përmes informacioneve të tilla të publikuara në media, ekziston një tendencë për ta dëmtuar LDK-në.

Të mërkurën në mbrëmje mediat lokale raportuan se 27 kryetarë të nëndegëve të LDK-së kanë dhënë dorëheqje ndaj paknaqësive kundrejt kryetarit aktual të degës, Agim Veliut. /Insajderi.com