Vëllai i Donjeta Pajazitaj: Jam kërcënuar nga djali i kryeplakut që t’i fshij postimet

Vëllai i Donjeta Pajazitaj: Jam kërcënuar nga djali i kryeplakut që t’i fshij postimet

Vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqim Pajazitaj, ka thënë se është kërcënuar nga djali i kryeplakut të fshatit Strellc, pas publikimit të letrave lidhur me vasjen e motrës së tij, Donjetës.

Ai ka thënë se rastin nuk e kanë lajmëruar në polici pasi nuk i beson drejtësisë.

“Unë e kam pranuar një telefonatë prej djalit të tij i cili më ka kërcënuar që ta fshij postimin që kam bërë. Unë nuk e di se si të ja bëj me ta. Këtë rast nuk e kemi paraqitur sepse nuk po kemi as ku ta paraqesim, këtu nuk ka drejtësi”, ka thënë Pajazitaj në Frontal në T7.

Këto kërcënime ndaj tij kanë ardhur pasi kishte publikuar disa letra anonime që janë dërguar në adresë të tyre, prokurorisë dhe policisë, lidhur me vrasjen e familjares së tyre, Donjetës. Në këto letra shkruhet arsyeja e vrasjes së Donjetës, urdhërdhënësi dhe kryesi i vrasjes.

Në një prej këtyre letrave të publikuara, thuhet se një person i quajtur Isni, e ka lënë shtatzënë Donjetën dhe pastaj ia ka dhënë 5 mijë euro Naser Pajazitajt, që ta vrasë.

Për këtë, është arrestuar kryeplaku i fshatit Strellc të Deçanit, Haki Pajazitaj, i cili më pastaj është liruar nga ndalimi, por është dënuar me gjobë në vlerë 200 euro dhe gjashtë muaj burgim me kusht, për deklarim të rrejshëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt./Insajderi.com