Vëllai i Vasfije Krasniqit me fjalë prekëse për motrën: Më fal që nuk arritëm të të mbrojmë

Vëllai i Vasfije Krasniqit me fjalë prekëse për motrën: Më fal që nuk arritëm të të mbrojmë

Vasfije Krasniqi Goodman, ishte një nga gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo ishte vetëm 16-vjeçare, kur përjetoi dhunën nga forcat serbe.

Por këtë dhimbje, ajo e ktheu në forcë. Ajo doli dhe foli për këtë temë publikisht. E kjo gjë, u bë motiv dhe mbështetje edhe për shumë gra të tjera që përjetuan dhunë seksuale.

Ani pse shumë shpesh këto gra nuk përkrahën nga familjarët, familja Krasniqi veproi ndryshe.

I ftuar në emisionin Frontal në T7, vëllai i Vasfije Krasniqit, Naif Krasniqi tregoi se si e përjetuan rastin.

“Krimi si  i tillë, cilësohet si një prej krimeve më të rënda, se çdo veprim pastaj bëhet në heshtje. Është pak e rëndë me u ballafaqua, sepse është vërtetu dhe konfirmohet se krimi është bë qëllimisht. Kur Buqja u dhunua dhunuesit kanë thëne që ne kemi me t’i lanë gjallë, që ti dhe familja juve të na kujtoni dhe brezat që vijnë. Ne i kujtojmë ata për shkak të mënyrës barbare që kanë pas. Mënyrën qysh ne e kemi përkrahë Buqen jemi gatshëm me përcjelle tek te tjerët’’

E ajo që e mundon Krasniqin që sa vite, është fakti se në kohën kur motra e tyre u keqtrajtua, familja  nuk kishte arritur t’i dilte në ndihmë.

‘’Ne i kemi kërkuar falje qe s’kemi mundur ta mbrojmë, ne nuk kemi pranu me u dërmu e me vuajt edhe me heshtë. Ne si familje e kemi trajtu gjithmonë faktin se ajo çfarë Buqes i ka ndodhë s’ka të bëjë me moralin ,as me nderin”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Krasniqi pati një kërkesë për gjithë familjarët të cilët kanë anëtarë që u bënë pre e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.

Ai kërkoi që këto familje të paraqiten në shoqatë, në mënyre që të marrin trajtimin e duhur.