Vendimi i qeverisë për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion: VV dorëzon kërkesën për interpelancë për Hotin

Vendimi i qeverisë për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion: VV dorëzon kërkesën për interpelancë për Hotin

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, lidhur me vendimin e qeverisë për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga kjo parti politike me anë të një njoftimi për media, ku tutje thonë se “në kohën kur kërkohet ndërmarrja e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit, krijimin e mekanizmave efikas dhe të pandikuar për të hetuar, gjykuar e konfiskuar pasurinë e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, Qeveria e Kosovës e bënë të kundërtën, duke shpërbërë Task-forcën antikorrupsionn në Policinë e Kosovës”.

Sipas Vetëvendosjes ky vendim është i dëmshëm dhe i shërben më shumë mirëmbajtjes së korrupsionit.

“Kësisoj pengon edhe ato pak mekanizma kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare e pasurisë publike”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

“Nuk ka asnjë dyshim se kjo Qeveri e korruptuar edhe për nga mënyra e zgjedhjes, nuk ka as vullnet, as aftësi e as integritet për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Por, shfuqizimi i Task-forcës është mesazh inkurajues për zyrtarët e korruptuar e të përfshirë në keqpërdorime të ndryshme të detyrës zyrtare dhe parasë publike. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës është vënë në anën e keqpërdoruesve, e kundër luftimit të korrupsionit”, thonë nga VV. /Insajderi.com