Vendimi i Turqisë mund të largojë ushtarët austriakë nga Kosova

Vendimi i Turqisë mund të largojë ushtarët austriakë nga Kosova

Me veton që Turqia po i vë bashkëpunimit të NATO-s me Austrinë, ka bllokuar aktivitetet e Austrisë me aleancën e NATO-s.

Siç raporton BBC, Turqia është anëtare e NATO-s, dhe ofron më së shumti muskujt ushtarakë pas SHBA-së, ndërsa Austria nuk është. Por Austria bashkëpunon shumë afër me NATO-në.

Madje, Austria ka më shumë se 400 trupa ushtarakë duke shërbyer në Kosovë. E këta trupa mund të përfundojnë misionin në Kosovë para kohe, nëse prishen marrëdhëniet mes Austrisë dhe aleancës Euroatlantike, shkruan Insajderi.

Ankaraja është kritike e ashpër e veprimeve të Austrisë, e cila ka insistuar në ndaljen e negociatave të Turqisë për anëtarësim në BE.

Turqia e ka bllokuar bashkëpunimin me Austrinë dhe vendet e tjera partnere që nga nëntori i vitit të kaluar.

NATO pritet të rishikojë procedurat e saj rreth kësaj vetoje të Turqisë, me qëllim që shteti që udhëhiqet nga Erdogan të mos jetë në gjendje për të vendosur veto.

Zyrtarët të martën kanë këmbëngulur se NATO nuk dëshiron t’i japë fund bashkëpunimit me Austrinë.

Por një diplomat i lartë i NATO-s i ka thënë në kushte anonimiteti gazetës gjermane Welt, se Erdogan mund të ketë sukses në qëllimin e tij.

“Për fat të keq, Presidenti Erdogan do të ketë sukses në izolimin e Austrisë brenda aleancës”, ka thënë ky diplomat. /Insajderi.com