Veprimi ‘magjik’ që ju ndihmon të përmirësoni kujtesën

Veprimi ‘magjik’ që ju ndihmon të përmirësoni kujtesën

Ju duhet të kujtoni ndonjë fakt të rëndësishëm, që pas shumë përpjekjesh përsëri nuk ju vjen në mendje? Shkencëtarët thonë se kjo është shumë më e thjeshtë nga ç’e pandehni.

Mjafton të shtrëngoni grushtin dhe të përpiqeni përsëri. Ky veprim do t’ju sjellë në mendje pa asnjë problem të dhënat që po përpiqeni t’i mbani mend, apo ato që kishit harruar. E kush e mendonte se do të ishte kaq e thjeshtë të kujtosh diçka?

Ky zbulim vjen prej një studimi të ri që ka për autor Ruth Proper, një profesoreshë e asociuar dhe drejtoreshë e laboratorit të Universitetit Montclair. Proper prej kohësh ka qenë e intriguar në lidhje me impaktin që japin disa lëvizje të caktuara të trupit në tru.

Ajo ka qenë gjithnjë në kërkim të gjetjes së mënyrës së duhur, për të kuptuar sesi funksionon truri. Teksa shumica e njerëzve e kanë të qartë se është truri qendra kryesore që jep komandën për sjelljen e trupit, si për shembull truri i thotë trupit të lëvizë një gjymtyrë dhe indet e bëjnë këtë të mundur, është shumë më pak e kuptuar gjendja e kundërt, pra kur trupi e urdhëron trurin të bëjë një reagim të caktuar.

Kërkimet e mëparshme këshillonin se shtrëngimi i grushtit mund të provokojë emocione. Kur njerëzit shtrëngojnë dorën e djathtë, hemisfera e majtë e trurit bëhet më aktive. Ky reaksion njihet si “afrimi i emocioneve”, të ndjenjave, siç janë lumturia apo ekzaltimi.

Duke shtrënguar dorën e majtë, njerëzit nxisin hemisferën e djathtë të trurit, e cila kontrollon “emocionet e tërheqjes”, siç janë frika ose ankthi. Duket sikur kjo nuk është shumë e nevojshme, por këto dituri të ndihmojnë shumë në situata të rrezikshme.

Proper shtroi teorinë se nëse të shtrëngosh grushtin ndikon te ndjenjat, atëherë duke vepruar po kështu mund të ndikohet edhe në tru për të tjera nxitje.

Për të kuptuar sesi shtrëngimi i grushtit ndikon te kujtesa, ajo u kërkoi 51 personave që shkruanin me të djathtën, të mësonin përmendësh 72 fjalë dhe në mënyrë rastësore i kërkoi një nga pesë personave të shtrëngonte dorën.

Në studim u përfshinë vetëm personat që shkruanin me të djathtën, pasi mëngjarashët shfaqin një kujtesë episodike më të mirë, ndaj kjo do të përbënte një avantazh të padrejtë.

Autorja e studimit gjeti kombinimin perfekt për një kujtesë më të mirë. Kur një person shtrëngonte grushtin e djathtë, ndërsa memorizonte diçka, dhe shtrëngonte më pas grushtin e majtë kur dëshironte ta kujtonte atë, kjo sillte një kujtesë më të mirë.

Përfundimet janë interesante kur i krahason me gjendjen normale, kur asnjë veprim shtrëngimi nuk kryhet. Jep pothuajse 15 për qind më shumë rezultat sesa të mos bësh asgjë për të kujtuar.

Për ata që mendojnë se kjo është një gjë thuajse e padobishme, autorja e studimit Proper shprehet se një veprim kaq i thjeshtë, siç është shtrëngimi i dorës, mund të bëjë ndryshimin midis një tete dhe një dhjete në provim.

Është e qartë se studimi ka nevojë për më shumë eksperimente për ta provuar atë në masën më të sigurt dhe ndoshta në rezultate akoma më të larta, por përfundimet e deritanishme janë shumë frymëzuese për shkencëtarët që po merren me këtë studim, njofton gazeta-shqip.

Këshillohet se sa herë të keni nevojë të kujtoni diçka që ju duket gati e pamundur për t’ju ardhur në mendje, të shtrëngoni grushtin dhe të përpiqeni përsëri.

Nuk është diçka magjike, thjesht një zbulim i ri i funksionimit të ndërlidhur të trupit me mendjen.