fbpx

Vërehen shenjat e aktiviteteve në kompleksin nuklear të Koresë Veriore

Janë vërejtur shenjat e aktiviteteve në kompleksin kryesor bërthamor të Koresë Veriore Yongbyon, më pak se dy muaj pas bisedimeve të dështuara mbi denuklearizim në mes të presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong-un, ka kumtuar një qendër hulumtuese amerikane.

Vërehen shenjat e aktiviteteve në kompleksin nuklear të Koresë Veriore

Pas samitit të dytë të dështuar të Trumpit dhe Kimit, zyrtarët koreanoveriorë kanë pretenduar se po i shqyrtojnë opsionet e tyre diplomatike me SHBA, ndërsa Kim Jong-un javën e kaluar ka deklaruar se është i hapur për samitin e ri me Trumpin nëse Uashingtoni vjen në tryezën e negociatave me “qëndrim të mirë”.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington (CSIS) ka pretenduar se incizimet satelitore të cilat janë bërë më 12 prill, paraqesin pesë vagonë afër fabrikës për pasurim të uraniumit dhe laboratorit për radiokimi në kompleksin nuklear Yongbyon.

“Në të kaluarën është dukur se këta vagonë specialë janë në lidhje me zhvendosje të substancave radioaktive apo me fushata të ripërpunimit të uraniumit”, pretendon kjo qendër.

Siç pretendohet, aktiviteti i tanishëm si dhe dukja e vagonëve nuk përjashtojnë mundësin se bëhet fjalë për operacionet para apo pas procesit të përpunimit të uraniumit.

Pas samitit të parë historik të Trumpit dhe Kimit në vitin 2018 në Singapor është aprovuar deklarata e përgjithshme e përbashkët në të cilën flitet për denuklearizimin e përgjithshëm të Gadishullit Korean. Takimi i dytë në shkurt në Hanoi ka përfunduar me dështim dhe pa asnjë përparim për këtë çështje./Insajderi.com.