Veriu i Kosovës pa kupona fiskalë

Veriu i Kosovës pa kupona fiskalë

Nga 981 biznese me gjithsej 1316 njësi aktive, në komunat e banuara me shumicë serbe në Veri të Kosovës, tatim në Administratën Tatimore të Kosovës tatim paguajnë vetëm 255 biznese, transmeton Insajderi.

Nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e tatimeve të marra nga këto biznese, pa kontribute pensionale, është 663 mijë euro, thonë zyrtarë të administratës.

Por, shifrat për regjistrimin e bizneseve ndryshojnë nga ato të ATK-së.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, (ARBK) agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se në pjesën veriore të Kosovës janë të regjistruara tre mije e 740 biznese.

Sipas ATK-së, këto biznese mund të jenë të regjistruara, por nuk janë aktive. Poashtu, një numër i bizneseve mund të mos kenë përfunduar procedurat zyrtare për çregjistrim në ARBK.

Bizneset në këtë pjesë nuk janë të pajisura me Pajisje Elektronike Fiskale, në bazë të së cilave pas çdo blerje lëshohet kuponi fiskal. Njëherësh, janë të obliguar të bëjnë transmetimin e raporteve periodike në Administratën Tatimore të Kosovës, raporton REL.

Madje, një nga pronarët në veri thotë se “nuk lëshon kuponë fiskal si të tjerët, por që ai rregullisht paguan detyrimet e tij tatimore, bazuar në qarkullimin, si dhe taksat mbi pagat për punonjësit, të cilat përfshijnë taksat dhe kontributet e sigurimeve pensionale”.

Moslëshimi i kuponit fiskal dhe mostransmetimi i të dhënave në Administratën Tatimore të Kosovës, janë të ndëshkueshme me ligjet në fuqi.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se qasja e këtij institucioni në katër komunat e banuara më shumicë serbe, nuk është shumë komode nëse krahasohet me rajonet tjera të Kosovës.

Valentina Bytyqi, zëdhënëse në ATK, thotë se në atë pjesë ka inspektorë të komunitetit serb të cilët janë të autorizuar të kryejnë aktivitete, inspektime dhe vëzhgime. Dhe përkundër vështirësive, thotë ajo, është arritur që të kryhen aktivitete dhe të ketë të hyra prej bizneseve të asaj pjese. /Insajderi.com