Vërshime në disa zona në Drenas, rrugët e pakalueshme

Vërshime në disa zona në Drenas, rrugët e pakalueshme

Komuna e Drenasit bën thirrje për qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë pjesët ku ka rrezik, meqë reshjet e dendura të shiut kanë bërë të pakalueshme disa rrugë, sidomos mbi ura, njofton Insajderi.

Rruga regjionale Drenas-Obiliq, tek lagja Morina në Çikatovë të Vjetër në drejtim të “Guri i Plakës” është e bllokuar nga uji.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin e komunës, andaj kërkohet kujdes nga qytetarët.

Po ashtu edhe rruga regjionale Drenas-Prishtinë, përkatësisht afër trafo-stacionit të KEDS-it, rruga është përkohësisht e bllokuar e gjithashtu edhe shtëpitë e banimit janë vërshuar nga uji.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kërkon nga qytetarët që të shmangin daljet pa nevojë dhe t’i shmangen rreziqeve në rrugët ku vërshimet janë me të dendura.

Lladrovci ka kërkuar nga qytetarët të kenë mirëkuptim e bashkëpunim, për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga vërshimet, e cila nuk mbahet mend të ketë pasur reshje me vëllim me të madh ndonjë herë.

Ai dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, njoftojnë të gjitha ato familje të cilat si pasojë e reshjeve të shiut, shtëpitë e tyre janë bërë përkohësisht të pabanueshme dhe nuk kanë zgjidhje të strehimit tek të afërmit e tyre, të lajmërohen në Komunën e Drenasit, përkatësisht në numrin 049 978 948. /Insajderi.com