Vesel Veseli e meriton që të bëhet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Këto janë arsyet se pse Vesel Veseli i plotëson kushetet për ta emëruar në krye të Policisë

Vesel Veseli e meriton që të bëhet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Duhet ta sqarojë që në fillim që kam “konflikt interesi” për të shkruar për Policinë e Kosovës. Mund të jem subjektiv. Kam pasur një rast personal. Nuk është zgjidhur, kuptohet. Nuk kam pritje që milionerët e korruptuar e Policisë do ta zgjidhin këtë rast.

Ndonëse subjektiv, mendimi im për Policinë e Kosovës është ky: Mijëra njerëz të mirë të udhëhequr nga një grup banditësh të korruptuar prej mbi 100 vetash.

Për mendimin tim, Policia e Kosovës ka këtë organogram. Në krye të saj, në Prishtinë, është një tufë milionerësh e banditësh që punojnë në drejtorinë e përgjithshme, krimet e rënda e krimet ekonomike. Në të tri njësitë ka edhe policë të mirë, të cilët nuk kanë fije ndikimi në vendimmarrje.

Punëtorët e tyre janë policët e thjeshtë që ndahen në tri grupe. Më me ndikim janë ata që kategorizohen si banditë.

Pa fije ndikimi janë dy grupet tjera: Policët e dijshëm e të pa korruptuar dhe të padijshmit. Të parët nuk i pyet kush për asgjë dhe nuk janë të dëmshëm. Edhe të padijshmit nuk i pyet kush, por janë të dëmshëm për shkak të mungesës adekuate të trajnimeve.

Por, cilit grup i përket Vesel Veseli, polici më i famshëm i kësaj jave?

Ai është pjesë e dy grupeve: I të padijshmëve dhe kriminelëve të korruptuar që keqpërdorin detyrën zyrtare.

Me një fjalë, Veseli është pasqyra e grupit udhëheqës të Policisë prej 100 vetash që janë pjesë e krimit të organizuar, korrupsionit e abuzimit të detyrës zyrtare.

Ai po mbahet në paraburgim nën dyshimet se ka abuzuar një të mitur, e cila po kërkonte ndihmë nga ai. Ishte e dhunuar nga mësuesi i saj dhe kishte besuar në Policinë e Kosovës.  Kishte gabuar në gjykim. Veseli dyshohet se e ka dhunuar, në vend se ta mbronte.

Veselin nuk do ta kishte ndëshkuar askush nga shefat e tij, për faktin se nuk e mbrojti një vajzë të mitur. Shefat e Veselit shquhen për mos ofrimin e mbrojtjes adekuate për gratë që denoncojnë raste dhunimi në Policinë e Kosovës. Ka me qindra raste të pazgjidhura.

Tallen me gratë që denoncojnë duke i paragjykuar ato si fajtore. Sjelljet e Veselit nuk janë të pazakonshme për shefat e Policisë. Nuk besoj që shefat e Policisë janë sikletosur në momentin kur kanë dëgjuar se Veseli nuk i ka ofruar mbrojtje një vajze të dhunuar, por e ka dhunuar vetë atë.

Kanë qeshur paksa me Veselin e lazdruar.

Por, tash janë detyruar të marrin masa ndaj Veselit për shkak se janë nën presion të madh të publikut. Me dëshirën më të madhe nuk do ta bënin këtë.

Po ta dinin këtë rast vetëm shefat e Policisë, asnjë e keqe nuk do t’i ndodhte Veselit. Nuk do ta ndëshkonin policin, të cilin e kanë shpërblyer me mirënjohjen “Polic i mirë”, para disa javësh. Kinse për sukseset e shënuara në zbulimin e një rasti të grabitjes. Kjo është qesharake. Dihet se sa e suksesshme është Policia e Kosovës në parandalimin e rasteve të tilla.

Por, Veseli për shefat e Policisë është “Polic i mirë”.  Mbanë pozitë të lartë. Është zëvendës shef i hetimeve në stacionin policor të Drenasit. Për ta, Veseli është vlerë. Është si shumica nga ta.  Në “radarin” e shefave të Policisë, Veseli është vlerësuar si kuadër që duhet të avancohet tutje. Me gradë e pozitë më të lartë.

Kjo është ndodhi normale. Banditët e të korruptuarit vlerësojnë lartë njerëzit që kanë mendësinë e tyre. Shumica e shefave të Policisë janë si Veseli. Të gatshëm për të abuzuar me detyrë zyrtare, të gatshëm për tu tallur me gratë që denoncojnë dhunën në familje, të gatshëm për tu korruptuar.

Imazhi që ka Veseli gjatë kësaj jave është personifikim i imazhit të shumicës së shefave të Policisë së Kosova. Ata duken si Vesela në sytë e opinionit publik.

Rasti i Veselit duhet t’i shërbejë shtetit për të marrë vendimin e madh: Reformimin e thellë të Policisë së Kosovës. Nëse kjo nuk bëhet, le ta vendosin me dekret që drejtor i ri i përgjithshëm i Policisë së Kosovës të jetë Vesel Veseli.

Ai është personifikim i shefave të Policisë. E meritojnë ta kenë kryeshef Veselin.