Veseli deklarohet pas intervistimit nga Gjykata Speciale

Kadri Veseli, kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), që gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur pas intervistimit nga Gjykata Speciale.

Veseli nuk ka dhënë detaje rreth intervistimit të tij derisa as këtë herë nuk ka treguar se në cfarë cilësie është intervistuar.

“Siç edhe kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim – kam përfunduar intervistën në Gjykatën Speciale. Vitet ’90-ta kanë qenë të rënda për popullin tonë, nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik për gjenocid kundër popullit tonë”, ka thënë Veseli në një lidhje direkte.

Tutje Veseli është shprehur se “Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik që ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë. Ftoj qytetarët e Kosovës që ta kalojmë bashkë këtë sfidë”.