Veseli: Dialogu me Serbinë është sakrificë politike dhe përgjegjësi e të gjithëve

Veseli: Dialogu me Serbinë është sakrificë politike dhe përgjegjësi e të gjithëve

Kryetari i Kuvendi të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, në funksion të arritjes së konsensusit lidhur me temën e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

Në një adresim para mediave, kryeparlamentari Veseli tha se në takim morën pjesë vetëm përfaqësues të subjekteve politike në koalicionin qeveritar, edhe pse, sipas tij, për takime të tilla ka bërë thirrje vet opozita.

“Konsensusi i brendshëm ka qenë një traditë e mirë qe e kemi pasur dhe rezultatet janë historike. Takimin e sotëm kanë marr pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës. Kërkesa e sotme ka qenë më shumë kërkesë e opozitës, për çka duhet publikisht të falënderoj ambasadorin e Amerikës dhe përfaqësuesen e BE-së për iniciativat”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se ulja në tavolinë me Serbinë është sakrificë dhe jo privilegj.

“Me Serbinë duhet biseduar për hir të fëmijëve tanë dhe sakrificës për ta ruajtur këtë që e kemi arritur deri më tani. Kjo është obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi që duhej ta dërgonim do të ishte mesazhi i unitetit konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe sovraniteti është i pacenueshëm”, theksoi Veseli.

Duke folur për refuzimin opozitës lidhur me dialogun, Veseli tha se mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk ka ende pjesëmarrje direkt të opozitës në dialog, ani pse, sipas tij, një pjesë e saj e ka pranuar një gjë të tillë.

“Një pjesë e opozitës ka pranuar që të marrë pjesë në dialog. Nevoja e akomodimit, apo mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk kemi ende një pjesëmarrje të opozitës në dialog. Në emër të patriotizmit po krijohet një populizëm, me qëllim të përfitimit. Qëllimi i takimit ka qenë të krijohet formati dhe vijat për të cilat duhet të diskutohet në dialog”, përfundoi Veseli, duke shtuar se shteti i Kosovës është i shenjtë dhe sovraniteti i Kosovës është i pacenuar.