Veseli: Ditën që prishet partneriteti me SHBA-në, prishet koalicioni qeverisës

Veseli: Ditën që prishet partneriteti me SHBA-në, prishet koalicioni qeverisës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se koalicioni qeveritar bie në ditën kur prishen raportet me SHBA-në.

Veseli, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë ai do të largohet nga drejtimi i Kuvendid, ditën kur Kosova prishet me SHBA-të.

“Atë ditë që prishet partneriteti me SHBA-të, prishet koalicioni dhe Kadri Veseli largohet nga kreu i Kuvendit. Unë largohem, askujt nuk ia hupi karrigen”, tha ai.

Veseli ka thënë se e mira e kombit shqiptar ka ardhur falë ndihmës së SHBA-së.

“Këtë duhet t’ua themi fëmijëve dhe gjeneratave që po rriten sepse dikush mundet me harrua nesër. Nuk besoj se do të mbrohet shteti dhe sovraniteti pa SHBA-të. Pushteti mund të mbrohet por shteti jo”.

Kryetar i PDK-së ka thënë se nuk duhet të vihet në dyshim partneriteti më Amerikën për një karrige të pushtetit.

“Po flasim për një partneritet që është jetik për Kosovën. Shteti i pavarur dhe sovran mund të lëviz para vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është përgjigja ime përfundimtare”, deklaroi ndër të tjera Kadri Veseli.