Veseli e Xharra në Prizren, premtojnë përkrahje për bizneset

Veseli e Xharra në Prizren, premtojnë përkrahje për bizneset

Anëtarja më e re e PDK-së, Arbana Xharra është rikthyer në fushatë bashkë me kryetarin e partisë, Kadri Veseli.

Ata kanë qëndruar në Prizren ku kanë vizituar pronarë të bizneseve të vogla familjare.

Lideri i PDK-së ka premtuar përkrahje ndaj këtyre bizneseve.

“Në Prizren sot u ndala te zonja Ergyl dhe zotëri Naxhi Gjurgjeali, pronarë të biznesit familjar qeleshepunues me traditë 110 vjeçare. Bizneset e vogla të veshjeve dhe artefakteve kombëtare, të tillë si ky i familjes Gjurgjeali, pasurojnë lagjet tona dhe i japin kuptim turizmit”, ka shkruar Veseli në facebook.

“Ndërmarrësve të vegjël si këta njerëz bujarë në Prizren, #FillimiRi do t’u sjellë mbështetje konkrete dhe përfitime të vërteta”, thuhet në postimin e Kadri Veselit‌.

Arbana Xharra ditë më parë ishte sulmuar fizikisht në parkingun e ndërtesës së saj.

Xharra nuk është në listën e kandidatëve për deputet nga PDK-ja.

Kurse, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme bashkë me Ramush Haradinaj kanë bërë paraqitjen e dytë publike, pas koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA.

Ata në hapësirat e një fabrike në Rahovec kanë bashkëbiseduar me një grup qytetaresh dhe ndërmarrës të kësaj komune.

Në këtë bashkëbisedim në Rahovec, kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, në rast së qytetarët me 11 qershor votojnë koalicionin që kandidon me Ramush Haradinajn për Kryeministër.