Veseli insiston në pakon emergjente, viziton Kamenicën

Veseli insiston në pakon emergjente, viziton Kamenicën

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar të martën kryetarin e Komunës së Kamenicës.

Veseli edhe një herë ka bërë thirrje që të votohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e propozuar nga PDK, në vlerë prej 320 milionë euro.

Ai tha se Kosova nuk guxon të dështojë nga pandemia dhe për këtë kërkoi që sa më shpejt të miratohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike të propozuar nga PDK-ja.

“Edhe me kryetarin biseduam që po shtohet lista në komuna në gjithë Republikën e Kosovës te familjeve sociale të cilët kanë nevojë për ndihmë për faktin e ballafaqimit me këto pasoja të cilat janë te pandemisë. Duhet sa më shpejtë të intervenojnë institucionet e Kosovës. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike është e domosdoshme dhe ju ndihmon drejtpërdrejt familjeve të cilat kanë vështirësi ekonomike, ju ndihmon drejtpërdrejt komunave, kryetarit Kastrati që të ballafaqohet po ashtu më suksesshëm me pandeminë. Ju ndihmon bizneseve që të rifillojnë aktivitetet e tyre të ndërmarrësisë. Ju ndihmon 280 mijë familjeve te cilat janë në sektorin privat”, deklaroi Veseli.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, kërkoi nga qytetarët dhe institucionet që të respektojnë në përpikëri masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

“Gjithashtu diskutuam dhe na informuan edhe për pakon emergjente që kanë propozuar këta. Por ju interesoj edhe aspekti i përvojave dhe nevojave dhe specifikave tona si Kamenicë. Unë uroj dhe shpresoj që duke i ftuar edhe qytetarët e institucionet që të vetëdijësohemi në maksimum të respektojmë në përpikëri masat. Kemi nevojë shumë që të lirohet ekonomia dhe të lirohen tjerat dhe në veçanti komunat si Kamenica që pothuajse ekziston vetëm prej remitencave edhe bashkatdhetarët, është një prej sfidave dhe hallave më të mëdha që e mendojmë”, tha Kastrati.

Gjatë së martës Veseli ka vizituar edhe drejtorinë e zjarrfikësve në Kamenicë , ku është informuar që gjatë vitit të njëjtit kanë ndërhyrë në 101 raste, ku ka pasur shpërthim të zjarrit.

Kreu i PDK-së ka vizituar edhe fermën e pulave “Arbor Group”, në fshatin Koretin.