Veseli: PDK të hapet për ardhjen e sa më shumë intelektualëve

Veseli: PDK të hapet për ardhjen e sa më shumë intelektualëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në hapjen e procesit zgjedhor partiak në degët e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Hanit të Elezit, Istogut dhe Hasit, ku ka kërkuar mobilizim dhe hapje të partisë për ardhjen e sa më shumë intelektualëve e njerëzve më të mirë nga të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunave përkatëse.

Sipas një komunikate të PDK-së, Kadri Veseli tha se procesi i zgjedhjeve partiake do ta fuqizojë dhe rrisë partinë.

“Partia Demokratike të Kosovës dëshiron ta ketë në çdo shtëpi njeriun më të mirë. PDK do të ketë brenda vetes njerëzit më të mirë të secilës lagje, njerëzit më të mirë të secilit fshat e secilit qytet. Kur rritet dhe fuqizohet Partia Demokratike e Kosovës edhe shteti i Kosovës do të forcohet e fuqizohet më shumë”, citohet të ketë thënë Veseli.

Lideri i PDK-së tha se partia që e drejton është garanci dhe adresë kryesore politike për ta zhvilluar vendin dhe për ta integruar në strukturat euro atlantike.

“Zgjedhjet në PDK janë më transparentet dhe në këto zgjedhje nuk garohet për ta mundur dikë por për ta fuqizuar strukturën, për t’u dhënë hapësirë njerëzve të rinj, intelektualëve dhe profileve të ndryshme që dëshirojnë të japin kontributin e tyre nëpërmjet PDK-së, për ta zhvilluar dhe fuqizuar Kosovën në Dekadën e Re”, ka thënë Kadri Veseli.