Veseli thoshte se do ta shkarkonte Flamur Sefajn për 2 minuta – a do e bëjë këtë gjë me ministrin e tij

Veseli thoshte se do ta shkarkonte Flamur Sefajn për 2 minuta – a do e bëjë këtë gjë me ministrin e tij

Besim Beqaj, është ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë Haradinaj. Ndaj Beqajt, sot është ngritur një aktakuzë në rastin “Pronto”. Përveç Beqajt edhe një zyrtari të lartë të PDK-së i është ngritur aktakuzë.

Është ky deputeti Zenun Pajaziti, i cili mandatin e kaluar ka qenë edhe shef i deputetëve të PDK-së.

Pajaziti një kohë ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme kur Hashim Thaçi ka qenë kryeministër, shkruan kp.

Sot ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mesin e të akuzuarve është edhe një këshilltar i Kadri Veselit.

Njazi Kryeziu ka qenë kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit në kohën e kryetarit Ramadan Muja.

Kryeziu pas humbjes së PDK-së në Prizren ku atje zgjedhjet për kryetar i fitoi Mytaher Haskuka i VV-së ka gjetur punë ku tjetër pos tek kryetari i PDK-së. Ai është pjesë e kabinetit të Veselit.

E ky i fundit ka dhënë fjalë të mëdha pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë ku gjashtë shtetas turq u arrestuan dhe më pas u deportuan për në Turqi.

Krejt kjo u bë pa dijen e kryeministrit, i cili për këtë e ka shkarkuar Flamur Sefajn nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Veseli në intervistën për KosovaPress e botuar më 1 prill ka thënë me mburrje se “Po të ishte ministri i partisë sime do ta shkarkoja për dy minuta”.

KosovaPress sot ka kontaktuar zyrtarë nga kabineti i Veselit për ta pyetur nëse do ta shkarkojë ministrin Beqaj për dy minuta, por që askush nuk është përgjigjur në telefonat e tyre.

 

Madje as tashmë të akuzuarit Grabovci, Beqaj dhe Pajaziti nuk janë lajmëruar fare në telefon.