fbpx

Veseli “thumbon” Kurtin dhe Mustafën: Pa PDK-në, nuk ka jetë më të mirë për qytetarët

Veseli “thumbon” Kurtin dhe Mustafën: Pa PDK-në, nuk ka jetë më të mirë për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se me besimin e qytetarëve në zgjedhjet e reja parlamentare, do ta nisë betejën më të madhe në karrierën e tij politike – luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Ai ka thënë se këtë betejë, e cila është shumë e vështirë, e ka nisur nga partia e tij dhe do ta vazhdojë në të gjitha institucionet e Kosovës.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, në një intervistë për Kosovapress, thotë se ashtu siç ka luftuar kundër Serbisë, do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai vlerëson se lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do t’i hapë Kosovës perspektivë të re të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Shumë liderë të partive të tjera merren me mua dhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Më shumë duhet të merremi me probleme që i kanë qytetarët, që është korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, ballafaqimi me Serbinë”, thotë Veseli.

Lideri i PDK-së ka folur edhe për takimin e djeshëm ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit dhe mundësinë që LDK e VV të bëjnë koalicion parazgjedhor.

Ai thotë se nga takimet Mustafa – Kurti është vetëm një gjë e sigurt, e cila nuk do të realizohet – lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi siç thotë Veseli ky takim ishte vetëm për interesat e tyre personale.

“Ne në zgjedhje do të shkojmë. Askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve. Ajo çka po kërkojnë (qytetarët), është një jetë më e mirë, një perspektivë më e mirë, e cila nuk mund të arrihet pa pasur një vizion të qartë, një vendosmëri të cilën e ka Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e kam unë për një Kosovë perëndimore, për një Kosovë e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, kundër nepotizimit. Duhet luftuar këto fenomene, të cilat janë duke e ndalur perspektivën tonë. Ne jemi të gatshëm, kemi filluar në PDK dhe do ta bart këtë frymë në të gjitha segmentet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo rrugë është e pashmangshme, nuk është e lehtë, ka sfida”, thotë Veseli.

Në fund ai tha se në këtë vend do të ketë shanse, do të ketë perspektivë, por edhe do të ketë luftë të pa kompromis të atyre që mendojnë veç për vete, për korrupsion, veç për të marrë vende pune.

Pra, sipas tij, do të shkohet deri në fund në masa të prekshme për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, për arsye se disa e kanë bërë mbi kurrizin e qytetarëve.