Vetë-aksidenti me autobus ku u lënduan 23 persona – ngritet aktakuzë ndaj shoferit

Vetë-aksidenti me autobus ku u lënduan 23 persona – ngritet aktakuzë ndaj shoferit

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër S.K., për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 378 paragrafi 8, lidhur me paragrafin 4 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti ka të bëjë me aksidentin që ka ndodhur në vendin Dydesh, në Komunën e Istogut, në maj të këtij viti, shkruan Gazeta Express.

U nisën për të vizituar vendet turistike të Kosovës, por udhëtimi iu ndal në gjysmë. Kjo pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin një grup i grave nga Ferizaj, u vetëaksidentua.

Në ditën e aksidentit në emergjencën e spitalit të Pejës, trajtim mjekësor kërkuan 28 udhëtarë.

Sipas hetimeve të para nga policia e Kosovës shkak i aksidentit është mospërshtatja e shpejtësisë së minibusit me kushtet e rrugës me çka shoferi ka humbur kontrollin e automjetit me ç’rast ka goditur një pemë në anën e djathtë të rrugës.

E aktakuza e prokurorisë së Pejës, thotë se i pandehuri S. K., më datën 5 maj të viti 2018, në rrugën Istog-Novosellë, tek vendi i quajtur Dydesh, derisa ishte duke drejtuar autobusin e markës Iveco, me të cilin po transportonte pasagjerë, duke mos u kushtuar kujdes kushteve të rrugës dhe mospërshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, humb kontrollin mbi autobus dhe  del nga korsia e rrugës, ku përplaset për disa lisa, ashtu që si pasojë e kësaj  5 (pesë) udhëtarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, kurse 18 (tetëmbëdhjete) të tjerëve u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.