Veteranët e UÇK-së – deputetit të VV-së: Mos i fyej komandantët, Haradinaj s’iu gjunjëzua as Serbisë

Veteranët e UÇK-së – deputetit të VV-së: Mos i fyej komandantët, Haradinaj s’iu gjunjëzua as Serbisë

Organizata e Veteranëve të UÇK-së nga rajoni i Dukagjinit ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqit kundër disa komandantëve të UÇK-së dhe Ramush Haradinajt.

Krasniqi akuzoi të nominuarin e PAN-it për kryeministër Ramush Haradinajn, se është takuar me kriminelë serbë e shqiptarë.

“Fyerja që po bëhet ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, është e turpshme. Komandantët tonë, për aktivitetin e të cilëve në luftë krenohemi ne, por edhe secili që e ndjen veten shqiptar, nuk duhet të jenë cak i fyerjeve nga askush, e sidomos nga persona të inkriminuar, e të akuzuar për sulm terrorist ndaj institucioneve e rendit demokratik”, ka thënë OVL e UÇK-së nga rajoni i Dukagjinit.

OVL e UÇK-së në Dukagjin ka thënë se “ne besojmë se populli do të vetëdijësohet dhe që nuk do të votojë më këto mbetje jugosllave, të cilët kanë marë përsipër rolin e mëhershëm të UNMIK-ut, në demonizimin e UÇK-së dhe Luftës Çlirimtare.”

Veteranët e UÇK-së, përmes një komunikate, kanë thënë se Haradinaj nuk iu gjunjëzua as Serbisë dhe Rusisë.

“Ne rikujtojmë, se komandanti Ramush Haradinaj nuk i ka rënë në gjunjë as Jugosllavisë as Rusisë e as aleatëve të tyre, as në luftë e as në paqe. Deshën apo s’deshën leninistët e titistët, historia moderne e kombit shqiptar përfaqësohet me UÇK-në, e familjet Jasharaj e Haradinaj, janë simbole të kësaj lufte”, thuhet në reagim.

“Ne ju bëjmë me dije të gjithëve, se në rast rreziku, do të jemi prapë ne Veteranët e UÇK-së dhe do të jenë prapë ata komandantët që po fyhen në Kuvend, që do i dalin zot këtij vendi; e klika e kamarierëve, përkthyesve e komesarëve, do të struken në vrimën më të afërt që do e gjejnë, ashtu siç vepruan gjatë Luftës Çlirimtare”, kanë thënë veteranët e UÇK-së nga Dukagjini. /Insajderi.com