Veterani i UÇK-së flet pas ndalimit në Turqi: Diplomacia kosovare ta demaskojë fytyrën e Serbisë

Veterani i UÇK-së flet pas ndalimit në Turqi: Diplomacia kosovare ta demaskojë fytyrën e Serbisë

Gjenerali i pensionuar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Imri Ilazi, është deklaruar rreth ndalimit të tij sot nga autoritetet e Turqisë, për shkak se ai ka figuruar në listën e të kërkuarve nga Interpol, të cilën e ka dorëzuar Serbia, njofton Insajderi.

Ilazi ka thënë se është përgjigjur shkurt, duke thënë se është banor i Republikës së Kosovës dhe se kërkesa e Serbisë nuk mund të jetë e vlefshme për ne dhe për shtetin turk, duke falënderuar policinë kufitare në Aeroportin e Antalisë për korrektësinë e treguar me të gjatë ndalimit që i është bërë.

“Me të ndaluar më kanë njoftuar se “Jeni i kërkuar në Interpol”, kërkesë të cilën e kishte bërë shteti i Serbisë”, është shprehur Ilazi për klankosova.tv.

“Përgjigja ime ishte e shkurtër se unë jam banor i Republikës së Kosovës dhe kërkesa e Serbisë nuk mund të jetë valide për ne por gjithashtu edhe për shtetin mik të Turqisë”, ka thënë Ilazi.

Ilazi ka falënderuar autoritetet kosovare për ndërmarrjen e shpejtë të veprimeve.

“Në fakt procedurat e verifikimit kërkojnë kohen e vet, por Ambasadori ynë në Turqi, Dugolli dhe Atasheu ynë Kolonel Bekim Osmani kanë reaguar me shpejtësi duke më kontaktuar edhe personalisht për të bërë verifikimin sa më të shpejt. Ky reagim të jep ndjenjën se qytetari i Republikës së Kosovës është i mbrojtur me të drejtat e tij”.

Ai ka thënë se ndalesa e sotme e tij ka zgjatur afër katër orë, ndërsa ka thënë se ndalesat e tilla janë padrejtësi mbi qytetarët e Kosovës.

“Mosinkuadrimi ynë si shtet në Interpol ka vështirësuar punën e diplomacisë për të reaguar edhe më fuqishëm në shkeljen e drejtave tona të lëvizje dhe pikërisht këtu është objektivi i Serbisë që Kosovën ta pengojë në çdo drejtim duke tentuar për të pasqyruar imazhin negativ si dhe për të mbuluar krimet, dhunimet dhe gjenocidin”.

“Shteti dhe diplomacia jonë duhet të punojë shumë për të demaskuar fytyrën e vërtet të Serbisë së atëhershme dhe të sotme, që fare s’dallon”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com/