Vetëvendosja i përgjigjet negativisht ftesës së Hotit për bashkëpjesëmarrje në dialog me Serbinë

Avdullah Hoti i ka ftuar partitë opozitare që ta japin nga një pjesëtar të tyre për të qenë pjesë e ekipit që dialogon me Serbinë në Uashington e në Bruksel. Tashmë një përgjigje ka ardhur. Nga Vetëvendosje. Është negative.

Vetëvendosja i përgjigjet negativisht ftesës së Hotit për bashkëpjesëmarrje në dialog me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje, përmes zëdhënësit për media, Përparim Kryeziut, i është përgjigjur negativisht ftesë së bërë nga kryeministri, Avdullah Hoti, për ta dërguar një anëtar në delegacionin e Kosovës në Uashtington dhe në Bruksel, në bisedim me Serbinë, njofton Insajderi.

Kryeziu, në një status në llogarinë e tij në Facebook, ka listuar arsyet përse Vetëvendosje po e refuzon thirrjen e Hotit.

Sipas tij është vetë veprimtaria e Qeverisë Hoti që e pamundëson një angazhim të përbashkët me të.

“Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vetë veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jo-legjitime dhe jo-kredibile pasi që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit”, shkruan Kryeziu.

“I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani”.

Sipas zërit zyrtar të Vetëvendosjes dialog me Serbinë mund të bëhet, por vetëm pasi një qeveri e re të dal nga zgjedhjet.

“Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”./Insajderi.com